BOTA

Tragjedi në Berlin/ Sulm gjatë Marshimit të Krenarisë, një viktimë dhe 16 të plagosur

Policia gjermane ka nisur një operacion të gjerë kërkimi në të gjithë Berlinin pas incidentit të rëndë gjatë aktivitetit të Krenarisë LGBTQ+ në qendër të kryeqytetit gjerman, ku një person humbi jetën dhe 16 të tjerë u plagosën.

Autoritetet kanë identifikuar si të dyshuar një 21-vjeçar me inicialet Abdul B., i cili ende nuk është kapur. Policia paralajmëron se ai mund të jetë i rrezikshëm dhe i armatosur, ndaj qytetarëve u është kërkuar të mos tentojnë ta afrohen. Sipas përshkrimit zyrtar, i dyshuari është rreth 1.90 metra i gjatë, me trup të dobët, flokë të zinj dhe në momentin e ngjarjes dyshohet se mbante veshur një bluzë të zezë me kapuç dhe pantallona të bardha.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se 21-vjeçari ka drejtuar një automjet drejt turmës së mbledhur në zonën e parkut Tiergarten, rreth orës 22:00 të së shtunës. Mjeti goditi disa persona dhe më pas u përplas me një pemë, duke u gjetur më vonë i braktisur brenda parkut. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që persona të tjerë të jenë larguar nga automjeti pas përplasjes.

Pas ngjarjes, policia rrethoi zonën dhe nisi kontrolle intensive me mjete ajrore dhe kamera termike për gjetjen e autorëve. Aktiviteti i Krenarisë u ndërpre, ndërsa pjesëmarrësve iu kërkua të largoheshin nga zona përmes Portës së Brandenburgut.

Shërbimet e emergjencës bënë të ditur se rreth 30 persona u trajtuan në vendngjarje për shkak të gjendjes së shokut. Disa prej të plagosurve raportohet se kanë pësuar dëmtime të rënda.

Policia po vijon marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të dorëzojnë çdo material filmik ose fotografi që mund të ndihmojë hetimin. Deri tani, motivi i sulmit nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, e dënoi ngjarjen, duke e cilësuar një sulm ndaj vlerave të lirisë dhe shoqërisë së hapur. Edhe kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu dënimin e tij dhe kërkoi zbardhjen e plotë të rrethanave.

Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të përcaktojnë nëse pas sulmit qëndron vetëm një person apo ka edhe të tjerë të përfshirë. Christopher Street Day në Berlin është një nga aktivitetet më të mëdha të komunitetit LGBTQ+ në Evropë dhe çdo vit mbledh mijëra pjesëmarrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button