AKTUALITETTOP-NEWS

Reforma territoriale ndez reagimet, banorët e 15 bashkive dalin kundër shkrirjes

Pas protestës së banorëve të Poliçanit, edhe qytetarët e 14 bashkive të tjera që preken nga reforma e re territoriale kanë dalë kundër projektit, duke paralajmëruar se shkrirja e bashkive do të largojë shërbimet, do të përshpejtojë shpopullimin dhe do të dëmtojë zhvillimin e zonave. Banorët e Patosit, Divjakës, Maliqit apo Belshit e cilësojnë reformën një kërcënim për të ardhmen e qyteteve të tyre, duke kërkuar që bashkitë të mos shkrihen.

Valës së kundërshtimeve ndaj reformës së re territoriale të propozuar nga qeveria po i bashkohen edhe më shumë qytetarë. Pas protestës së banorëve të Poliçanit, të cilët pasditen e së enjtes dogjën edhe teserat e Partisë Socialiste në shenjë revolte, reagimet janë përhapur edhe në 14 bashki të tjera që rrezikojnë të shkrihen. Banorët e konsiderojnë këtë projekt një goditje të rëndë për komunitetet e tyre dhe paralajmërojnë pasoja të pakthyeshme. Një nga bashkitë që preket drejtpërdrejt është Patosi, i cili, sipas projektit të ri, do t’i bashkohet Bashkisë së Fierit.

Ky vendim ka shkaktuar zemërim dhe shqetësim të madh te banorët, të cilët e shohin si një hap drejt zbehjes së qytetit të tyre. Ata shprehen se largimi i bashkisë do t’i detyrojë qytetarët të përshkojnë distanca më të mëdha për të marrë shërbimet bazë, ndërsa paralajmërojnë se Patosi rrezikon të zbrazet gradualisht. Sipas tyre, kjo do të sjellë mbylljen e shkollave, largimin e familjeve dhe, në fund, braktisjen e qytetit, një skenar që, sipas tyre, u pa edhe pas reformës territoriale të vitit 2014, kur shkrirja e komunave çoi në shpopullimin e shumë zonave rurale.

Edhe në Divjakë kundërshtimi ndaj reformës është i fortë. Banorët e kësaj bashkie, e cila, sipas projektit, do të kalojë nën administrimin e Bashkisë së Lushnjës, e cilësojnë të papranueshëm këtë vendim. Ata argumentojnë se Divjaka ka një potencial të madh ekonomik dhe turistik, i cili, sipas tyre, nuk duhet të administrohet nga një bashki tjetër. Banorët kërkojnë që bashkia e tyre të mbetet e pavarur, duke paralajmëruar se shkrirja do të dëmtojë zhvillimin e zonës dhe do t’i largojë edhe më shumë institucionet dhe shërbimet nga qytetarët.

Propozimi për shkrirjen e Bashkisë së Maliqit ka ngjallur reagime të forta nga banorët, të cilët e kundërshtojnë këtë nismë dhe kërkojnë që bashkia të vijojë të funksionojë si njësi më vete. Shqetësimi më i madh i banorëve lidhet me distancën që do t’u duhet të përshkojnë për të marrë shërbime që aktualisht i kryejnë pranë vendbanimit të tyre.

Edhe në Belsh, bashki e cila do t’i bashkohet Elbasanit, qytetarët shprehen kundër këtij ndryshimi, duke e konsideruar atë të nxituar dhe pa një proces të gjerë konsultimi publik. Sipas tyre, një reformë që prek drejtpërdrejt organizimin administrativ dhe jetën e përditshme të mijëra qytetarëve nuk duhet të vendoset pa dëgjuar më parë zërin e komunitetit.

Pritet që banorët e Belshit ditën e shtunë të dalin në protestë kundër këtij vendimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button