Stina e pestë

Nga Sonila Meço
Shqipëria ka një stinë të pestë, stina e kthimeve. Nis diku nga fundi i qershorit, kur aeroportet mbushen me përqafime, rrugët me targa të huaja dhe shtëpitë, të heshtura gjatë dimrit, çelin dritaret.
Vera shqiptare, e një kombi emigrantësh, kthen fëmijët tek prindërit, motrat tek vëllezërit, nipërit pushtojnë me uturima gazmore shtëpitë e gjyshërve dhe kafetë e lëna përgjysmë gjatë vitit shijojnë po njëlloj, sikur ndërmjet tyre mos ketë mijëra kilometra.
Shqipëria bëhet më e gjallë, më e ngjeshur, ndonjëherë edhe më nervoze, por bëhet e plotë. Është zëri i një familjeje të madhe që, pasi ka jetuar gjithë vitin e shpërndarë nëpër hartë, për pak kohë bëhet përsëri shtëpi.
Këtë vit, “shtegtarët” tanë, që u kthyen në atdhe dhe e mbajtën frymën në bulevard, u përballën edhe me përcaktimet e ornitologut kryeministër që i grupoi në “flamingo”, ata të bukurit, të butët, ata që protestojnë me shije dhe brenda kufijve të lejuar nga estetika e pushtetit. Dhe në “sorra e korba”, grupi i errët, ana e ligë e turmës, ata që s’kanë as besë e as të drejtë të dëgjohen siç duhet.
Problemi me këtë ndarje arrogante është se…nuk funksionon. Sepse mjafton një shembull i gjallë, jo metaforë, jo figurë retorike, por një njeri prej mishi e kockash për t’ia rrëzuar gjithë skeletin propagandës qesharake.
Çdo familje shqiptare e ka një të tillë me siguri. E kam edhe unë. Nipçja im.
Njëzet e tre vjeç. Gjysmë gjerman e gjysmë shqiptar. Kombinim që prodhon njerëz “të rrezikshëm” për çdo pushtet që ka nevojë për qytetarë të përgjumur. Është diplomuar për Të Drejtën Ndërkombëtare Cum Laude në Holandë, atje ku edhe fëmijët e mësojnë herët se nuk ka demokraci kur pushteti krekoset se “kush s’më ka dhënë votë s’ka ç’më thotë”.
Frank erdhi në Shqipëri për pushime. Pushime, domethënë kohë që mund ta kishte shpenzuar në plazhet e Spanjës a në pub-et e Amsterdamit, por jo!
Në vend të tyre ka zgjedhur bulevardin. Çdo ditë. Pa humbur asnjë.
Të mundja do ta pyesja përballë kryeministrin ornitolog: ky djalë është flamingo apo korb?
Nuk merr asnjë lek nga shteti. Nuk ka teserë partie, nuk ka “farë e fis” të pushtetshëm për t’i falur toka a pasuri në Shqipëri.
E do Shqipërinë me atë dashuri të dlirë e të qashtër që e kanë ata/ato që mund ta zgjidhnin të mos e donin fare, sepse pasaporta gjermane u jep gjithë botën. Por ai zgjodhi bulevardin e Tiranës.
Ka studiuar drejtësinë ndërkombëtare jo për ta recituar nëpër rrjete sociale, zyra dhe ese, por për ta jetuar në rrugë, në vendin ku gjyshërit e tij pinin kafe që kur nuk kish “kontratë” tjetër veç frikës.
I ri, i arsimuar, me nënë shqiptare, gjerman në pasaportë refuzoi të qëndrojë në “lagunën” që i cakton kryeministri dhe fluturoi drejt e në mes të turmës, pagëzuar prej autokratit si fole sorrash e korbash.
Ja pra që kjo ndarje s’ka të bëjë hiç me atë çfarë njerëzit janë, por me atë çfarë i leverdis pushtetit t’i quajë.
Nipi im dhe me të qindra mijëra si ai, nuk hyjnë hiç në metaforat zoomorfe të autokratit, por në Kushtetutë, në nenin që thotë se pushteti buron nga populli dhe ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve, jo nëpërmjet klasifikuesve të shpendëve.
Emigrantët këtë verë kanë zgjedhur të vijnë e të qëndrojnë çdo ditë në bulevard. Dhe janë mu bash ata që nuk i fut dot në asnjë metaforë, sepse metafora me shpendë u krijua për të shpjeguar një masë të shumëtrajtshme, jo për t’u përballur me fytyra konkrete, që të shohin në sy dhe presin përgjigje.
Si im nip, e qindra mijra bij e bija emigrantësh derdhur në shesh.

Pale kur u shërbeni edhe Besën, si të qe një sajim publicitar influencerash të shekullit XXI.
Frank, që studion ligjet, e di fare mirë nga buron institucioni i Besës. Ma shpjegoi si nyjen që mban peshë të rëndë mbi vete prej shekujsh, nyja e Kanunit, ajo që bënte një burrë ta linte shtëpinë e vet të digjej para se t’i thyente fjalën një miku.
Por nipat e mbesat tanë, të pakategorizueshmit në shpendë e dinë mirë dhe ta shpjegojnë qartë se Besa është arsyeja pse familjet shqiptare, në terrin më të madh të shekullit të kaluar, strehuan e fshehën njerëz që nuk ishin as gjak dhe as fe e tyre, vetëm sepse ua kishin dhënë fjalën.
Për ta, fjala e dhënë ishte më e shenjtë se jeta e vetë atij që e jepte. “Besa është marrëdhënie mes të barabartësh”, më thotë Franku “dhe jo detyrim që qytetarët t’ia paguajnë pushtetit si taksë morale, në këmbim të lejes për të protestuar pa u quajtur sorra e korba.”
Por besa nuk kërkohet, s’mund të shpaloset njëanshëm, si urdhër, drejt njerëzve që nuk e kanë zgjedhur kurrë si palën tjetër të saj.
Më keq akoma, kur pohohet publikisht se “BESA jonë s’ka asnjë lidhje me ta”. Pra pushteti e pranon vetë, me gojën e tij, se e ka ndarë Besën në kategori, ndërkohë që Besa historike shqiptare ka qenë ekzaktësisht e kundërta, aq universale sa mos të njihte as fe, as komb, as parti. Mirëpo edhe konceptin më përbashkues të kombit e privatizon ky pushtet.
Frank, ai njëzet e tre vjeçari që di ligj ndërkombëtar më mirë se ç’di pushteti demokraci vendore, ma shpjegoi kësisoj: “një detyrim moral që e shpall vetëm njëra palë mbi palën tjetër, pa marrëveshje mes të barabartësh, nuk quhet Besë, por urdhër, bindje e kërkuar pa reciprocitet”. Kjo është e rëndë, më shpjegoi Franku, jo sepse “Besa” ka fuqi juridike mbi institucionet, por sepse ideja se pushteti kërkon besnikëri morale nga qytetari pa pranuar reciprocitetin e përgjegjësisë prek parimin themelor demokratik, pushteti nuk është palë superiore ndaj qytetarit, por mandatari i tij.
Si mund të shpallë Besën dikush që marrëdhënien mes të barabartësh e zëvendëson me hierarkinë mes atij që urdhëron dhe atij që duhet të bindet domosdoshmërisht?
Ja pse këtë vit, më shumë së kurrë merr kuptim të plotë stina jonë e pestë. Ata që kthehen çdo verë nuk sjellin veç valixhe, targa të huaja dhe gumëzhimin që na mbush shtëpitë, por edhe botët ku kanë mësuar të jetojnë, edukimin, universitete, ligje, institucione, një tjetër marrëdhënie me shtetin.
Andaj këtë verë disa prej tyre, pasi përqafuan gjyshërit, lanë valixhet në shtëpi dhe dolën vrik në bulevard. Jo si sorra e korba, as si palë e ndonjë Bese të shpallur nga lart. Dolën si qytetarë.
Karma e një kombi emigrantësh po përmbushet. I kemi përcjellë njerëzit e fëmijët tanë nëpër botë që të ndërtonin një jetë më të mirë, ndërsa një ditë ata kthehen për të na kujtuar se edhe vendi prej nga ikën meriton një të tillë.
Stina e kthimeve nuk është vetëm koha kur familja bëhet përsëri shtëpi. Është edhe koha kur të ikurit kthehen për t’i kujtuar shtëpisë se kujt i përket.










