KULTURËTOP-NEWS

“Muzak Fest” në Apoloni, një natë mes artit, historisë dhe kujtesës.

Fier – Parku Arkeologjik i Apolonisë u shndërrua mbrëmjen e së shtunës në skenën e edicionit të dytë të “Muzak Fest”, një aktivitet që bashkon artin me historinë dhe sjell në vëmendje rrënjët, kujtesën dhe trashëgiminë kulturore.

Këtë vit, “Muzak Fest” erdhi në formatin e një mbrëmjeje gala, ku poezia, muzika dhe interpretimi artistik u ndërthurën me historinë mijëravjeçare të Apolonisë.

Në skenë u ngjitën emra të njohur të artit shqiptar, mes tyre Rajmonda Bulku, Dritan Boriçi, Andia Xhunga dhe Myzafer Zifla, ndërsa mbrëmja u moderua nga Kristian Koroveshi.

Një atmosferë të veçantë krijoi edhe Vlashent Sata, përmes muzikës dhe interpretimit të tij, duke sjellë një ndërthurje mes tingullit bashkëkohor dhe frymës historike të këtij siti të rëndësishëm arkeologjik.

Monumentet e Apolonisë, të ndriçuara posaçërisht për eventin, u bënë pjesë e skenografisë, duke krijuar një dialog mes artit të sotëm dhe trashëgimisë së mijëra viteve.

Adriana Mile, Drejtoresha e Artit dhe Kulturës pranë Bashkisë Fier, theksoi se “Muzak Fest” synon të krijojë një marrëdhënie të gjallë me trashëgiminë dhe të përcjellë te brezat e rinj rëndësinë e ruajtjes së saj.

Për artisten Rajmonda Bulku, “Muzak Fest” është një festë e kujtesës dhe një mënyrë për të treguar nga vijmë, cilat janë rrënjët tona dhe çfarë zgjedhim t’u lëmë brezave.

Ndërsa aktori Dritan Boriçi u shpreh se aktivitete të tilla ndihmojnë në mbajtjen gjallë të historisë dhe identitetit të këtij thesari të trashëgimisë kulturore.

Monumentet, të integruara në konceptin skenik dhe të ndriçuara posaçërisht për eventin, u bënë pjesë e rrëfimit artistik, duke krijuar një dialog mes artit të sotëm dhe trashëgimisë së mijëra viteve duke u kthyer edhe më një promovim për Parkun Arkeologjik të Apolonisë , u shpreh drejtoresha Ornela Durmishaj.

Muzak Fest i organizuar nga Bashkia Fier, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, festivali mblodhi në Apoloni artistë, personalitete të kulturës dhe artdashës nga Fieri e qytete të tjera të vendit. /ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button