Emrat/ Divjakë, pas sherrit shkoi në lokal ta vriste me silenciator, 6 të arrestuar

Një konflikt mes disa personave në një lokal në Divjakë ka çuar në arrestimin e gjashtë personave dhe sekuestrimin e dy armëve të zjarrit.
Sipas Policisë, përplasja nisi me sende të forta, ndërsa disa orë më vonë Orgito Lamka, 22 vjeç, është rikthyer në lokal i armatosur me një pistoletë me silenciator dhe, sipas hetimeve, dyshohet se do të vriste Shahin Xhepexhiun, 51 vjeç.
Policia thotë se ndërhyrja në kohë parandaloi ngjarjen. Në pranga kanë përfunduar edhe Kevin Sota, 45 vjeç, Serxhio Duda, 28 vjeç, Santiago Alla, 30 vjeç, Zeni Kule, 50 vjeç, dhe Shahin Xhepexhiu, 51 vjeç.
Orgito Lamka rezulton me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë.
Dy prej tyre, janë arrestuar për moskallëkim krimi. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Njoftimi
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Divjakë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, operacioni policor i koduar “Crime Prevented”.
Ndjekja në dinamikë nga shërbimet e Policisë e një konflikti, fillimisht me sende të forta, parandaloi një vrasje.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator.
Vihen në pranga 6 shtetas.
Policia e Divjakës mori njoftim se, në një lokal në pronësi të shtetasit Z. K., 50 vjeç, po ndodhte një konflikt me sende të forta.
Menjëherë, shërbimet e Policisë janë afruar në vendngjarje, ku kanë konstatuar shtetasin O. L., 22 vjeç, dhe shtetasin Sh. Xh., 51 vjeç, të cilët ishin dëmtuar gjatë konfliktit me sende të forta.
Shtetasit O. L. dhe Sh. Xh., pasi kanë marrë mjekim dhe kanë përfunduar deklarimet në Komisariat, janë larguar në banesat e tyre.
Gjatë kryerjes së veprimeve për dokumentimin e plotë të konfliktit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, Policia mori njoftim në rrugë operative se një prej autorëve, shtetasi O. L., disa orë më vonë ishte rikthyer te lokali i armatosur me një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe dyshohet se do të vriste shtetasin Sh. Xh.
Ndërhyrja në kohë dhe me profesionalizëm e shërbimeve të Policisë parandaloi vrasjen.
Në vijim të veprimeve operacionale dhe procedurale, specialistët e Hetimit të Krimeve bënë arrestimin e shtetasve:
– O. L., 22 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri dhe Belgjikë.
Këtij shtetasi iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë me silenciator, me fishek në fole, gati për qitje.
– K. S., 45 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri.
Këtij shtetasi, gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën një armë zjarri pistoletë.
– S. D., 28 vjeç, me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në Shqipëri. Ky shtetas drejtonte automjetin me të cilin shtetasi O. L. ishte rikthyer te lokali pas disa orësh.
– S. A., 30 vjeç, i cili ka tentuar të heqë armën e zjarrit nga automjeti i shtetasit K. S.
– Z. K., 50 vjeç, pronari i lokalit, i cili u arrestua për moskallëzim krimi.
– Sh. Xh., 51 vjeç, për moskallëzim krimi, pasi gjatë hetimit ka rezultuar se gjatë deklarimit nuk ka treguar të vërtetën në lidhje me konfliktin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 armë zjarri pistoletë, njëra prej tyre me silenciator, 4 automjete dhe 6 aparate celulare.
Armët e zjarrit do t’i nënshtrohen ekspertimit përkatës.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të personave të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.










