Iu përmend emri në audiopërgjim, rrezikohet jeta e gazetarit Julian Hoxhaj

Gazetari Julian Hoxhaj ka reaguar pasi emri i tij dhe emisioni “Plug”, pjesë e Syri TV, janë përmendur në një audiopërgjim të transmetuar mbrëmjen e së hënës në emisionin “Çim Peka Live”.
Audiopërgjimi është publikuar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe, sipas materialit të transmetuar, pretendohet se në të dëgjohet një bisedë mes biznesmenit izraelito-shqiptar Ron Yeffet dhe dy biznesmenëve ukrainas.
Sipas Hoxhajt, emri i tij është përmendur në kontekstin e denoncimeve të bëra më herët nga emisioni “Plug” lidhur me aktivitetin e Yeffet në Shqipëri. Gazetari e lidh këtë me materialet e publikuara në janar të vitit 2026, ku emisioni trajtoi pretendime mbi aktivitetin e biznesmenit në sektorin e industrisë ushtarake dhe tregtinë e armëve, si edhe raportet e tij të pretenduara me ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal.
Në reagimin e tij, Hoxhaj shkruan:
“Unë dhe emisioni ‘Plug’ përmendeshim në tryezat e errëta të trafikut të armëve fill pas denoncimit për pasurimin e tij me paratë e shqiptarëve, në janar 2026. Ishte emisioni ku u denoncua për herë të parë ajo që po ndodh sot.”
Ai pretendon se në emision ishin ngritur pikëpyetje mbi aksesin e Yeffet në asetet e ushtrisë shqiptare, aktivitetin e tij në tregtinë e armëve dhe lidhjet e pretenduara me Charles McGonigal.
Gazetari përmend gjithashtu një shumë prej 3 milionë eurosh, e cila, sipas tij, do të përdorej për nisjen e një operacioni. Këto janë pretendime të ngritura prej tij dhe mbeten për t’u verifikuar nga institucionet kompetente.
Hoxhaj thotë se përmendja e emrit të tij në audiopërgjim e ka bërë të ndihet nën presion dhe kërcënim, duke e lidhur situatën me punën e tij si gazetar.
“Ndihem nën presion dhe kërcënim”
“Çdo gazetar e ka të qartë se, kur emri i tij lakohet si bezdisës në diskutime për ‘gjëra të këqija’, nuk mund të ndihet i sigurt, por nën presion dhe kërcënim nga rrjetet më të errëta që njeh bota, ato të trafikut të armëve.”
Pavarësisht kësaj, gazetari shprehet se do të vijojë punën e tij dhe denoncimet publike.
“Do të vazhdoj ta bëj detyrën time me të njëjtën përgjegjshmëri dhe vendosmëri, si gazetar dhe si pjesë e ekipit të emisionit ‘Plug’ në Syri TV.”
Reagim ka pasur edhe nga gazetari Flavio Qarri, i cili e konsideron situatën shqetësuese dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve për garantimin e sigurisë së kolegut të tij.
Qarri shkruan:
“Kolegu Julian Hoxhaj ka qënë objekt i bisedave mes eksponentëve të organizatave kriminale ndërkombëtare. Nuk po merrem me mungesën e reagimit të shoqatave të gazetarëve e të mediave. Apel urgjent prokurorisë e institucioneve ligjzbatuese për të garantuar sigurinë fizike të gazetarit Hoxhaj. Urgjent!”
Në reagimin e tij, Hoxhaj u bën gjithashtu apel institucioneve ligjzbatuese që të administrojnë materialin audio, të verifikojnë autenticitetin dhe kontekstin e tij, si dhe të vlerësojnë nëse ekziston një rrezik konkret për sigurinë e tij.
Ai kërkon që Prokuroria dhe Policia e Shtetit të marrin masa për garantimin e sigurisë së tij dhe që rasti të mos trajtohet me indiferencë, duke e konsideruar atë një çështje që lidhet edhe me lirinë e medias dhe ushtrimin e profesionit të gazetarit pa presione apo kërcënime./Piranjat News










