AKTUALITETTOP-NEWS

Fieraku 24 vjet në Francë, edhe pse ka paguar dritat në atdhe, gjoba nga KESH 6.5 milion lekë.

Fier – Ky është Hekuran Hate, me profesion mësues, i cili prej vitit 2002 jeton së bashku me familjen në Francë.

Në Shqipëri, thotë se kthehet vetëm një herë në vit, për rreth 15 ditë. Por prej më shumë se një dekade, pushimet në vendlindje janë kthyer për të në një përballje të pafundme me zyrat dhe institucionet.

Shkak është një gjobë për energjinë elektrike, të cilën Hekurani e quan absurde.

Ai tregon faturat dhe librezën e energjisë, duke këmbëngulur se pagesat janë kryer rregullisht dhe se nuk ka lënë asnjë faturë pa paguar.

Sipas tij, në qershor të vitit 2012 është vendosur një gjobë prej rreth 3.2 milionë lekësh. Por, pretendon Hekurani, detyrimi nuk është shfaqur në sistemin e KESH-it deri në vitin 2018. Me kamatat e përllogaritura ndër vite, shuma ka arritur në rreth 6.5 milionë lekë.

Sot, 65-vjeçari thotë se ka trokitur në çdo derë që ka mundur, por pa marrë një zgjidhje.

“Kam shkuar te KESH-i, në Tiranë, në ministri, në zyrat qendrore, te Avokati i Popullit. Kam takuar edhe gjyqtarë e prokurorë. Të gjithë më thonë se nuk zgjidhet dot dhe se duhet të shkoj në gjykatë”, rrëfen ai.

Hekurani tregon edhe një takim me ish-drejtorin e KESH-it në Fier, Arjan Fasko. Sipas tij, aty është konfirmuar se detyrimi figuron në sistem, por nuk i është vënë në dispozicion asnjë dokument që provon vendosjen e gjobës.

“Unë i thashë: i kam paguar dritat rregullisht, nuk kam lënë asnjë faturë pa paguar. Cili është motivi që është vendosur gjoba? A ekziston një dokument që unë e kam marrë këtë gjobë? Më thanë jo, nuk kemi asnjë dokument, por është në sistem”, shprehet Hekurani.

65-vjeçari thotë se kjo situatë i ka privuar edhe nga e drejta për të shijuar pak ditë pushime në Shqipëri.

“Vij një herë në vit, vetëm 15 ditë. Në vend që të bëj pushime, merrem me zyrat lart e poshtë dhe nuk gjej zgjidhje”, thotë ai.

Pas 24 vitesh emigracion, Hekurani kërkon që rasti i tij të verifikohet dhe të sqarohet se mbi çfarë dokumenti dhe procedure është vendosur kjo gjobë, nëse ai rezulton se i ka shlyer rregullisht faturat e energjisë dhe për këtë zotëron dokumenta me firmë e vulë.

Përmes medias, ai kërkon ndërhyrjen e institucioneve për t’i dhënë fund një historie që, sipas tij, ka zgjatur më shumë se një dekadë.
Rasti mbetet për t’u verifikuar edhe nga institucionet përgjegjëse, ndërsa Hekurani thotë se kërkon vetëm një përgjigje të qartë: pse është vendosur kjo gjobë dhe mbi çfarë dokumenti, kur unë nuk jam debitor. /ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button