POLITIKËTOP-NEWS

Patosi kundër bashkimit me Fierin, qytetarët: “Kemi histori, identitet dhe ekonomi të pavarur”

Dëgjesa publike për reformën territoriale/ Qytetarët kundërshtojnë bashkimin: “Patosi nuk mund të vlerësohet vetëm me kilometra apo tregues administrativë”

Patosi kundërshton idenë e bashkimit administrativ me Fierin. Kjo ishte kryefjala e dëgjesës publike të zhvilluar pasditen e kësaj të mërkure nga Bashkia Patos, në kuadër të konsultimit me qytetarët për reformën e re administrative-territoriale.

Sipas variantit të reformës që po konsultohet, Bashkia Patos parashikohet të bashkohet me Bashkinë Fier, një propozim që ka ngjallur reagime dhe kundërshtime nga një pjesë e komunitetit të Patosit.

Dëgjesa publike u hap nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Armand Ahmetaj, ndërsa më pas fjalën e mori kryetari i Bashkisë Patos, Fatjon Duro.

Në fjalën e tij, Duro renditi një sërë argumentesh në mbështetje të vijimit të funksionimit të Patosit si bashki më vete. Sipas kryebashkiakut, funksionaliteti financiar, ekonomia lokale, ofrimi i shërbimeve publike dhe aksesi i qytetarëve, si dhe kohezioni territorial, janë disa prej elementeve që duhet të merren në konsideratë përpara çdo vendimi për ndryshimin e statusit administrativ të Patosit.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm qytetarë, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe përfaqësues të grupeve të interesit, u shpreh një qëndrim i qartë kundër bashkimit të Patosit me Fierin.

Qytetarët argumentuan se vlerësimi i një njësie administrative nuk duhet të bazohet vetëm në tregues statistikorë, indekse apo distancën gjeografike mes dy qyteteve.

Sipas tyre, Patosi ka një histori dhe identitet të konsoliduar, ndërsa ekonomia e tij është zhvilluar në mënyrë të veçantë ndër vite. Për këtë arsye, ata kërkuan që këta faktorë të merren seriozisht në konsideratë gjatë procesit të reformës së re territoriale.
“Patosi ka histori, identitet dhe ekonomi të pavarur”, ishte një prej qëndrimeve të artikuluara gjatë dëgjesës, ndërsa qytetarët theksuan se bashkimi me Fierin nuk duhet të vendoset vetëm mbi bazën e kritereve administrative.

Një tjetër pikë e ngritur gjatë diskutimeve ishte edhe përfaqësimi politik. Disa prej qytetarëve kritikuan deputeten Antoneta Dhima dhe drejtuesen politike të Partisë Socialiste për qarkun Fier, Belinda Balluku.

Sipas qytetarëve, gjatë periudhave të mëparshme atyre u ishte premtuar se bashkitë nuk do të bashkoheshin, ndërsa tani, në kushtet kur reforma territoriale parashikon një ndryshim të tillë, ata kërkuan praninë dhe shpjegimet e përfaqësuesve politikë në terren.

Të pranishmit ngritën shqetësimin se prej javësh deputetja Antoneta Dhima dhe drejtuesja politike e PS-së për qarkun Fier, Belinda Balluku, nuk kanë qenë të pranishme në Patos për të diskutuar me komunitetin mbi këtë çështje.

Në përfundim të dëgjesës, kryebashkiaku Fatjon Duro dhe Këshilli Bashkiak bënë të ditur se procesi i konsultimit me komunitetin do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Në kuadër të këtij procesi priten të zhvillohen dëgjesa edhe në njësitë administrative të Bashkisë Patos, ku qytetarët do të kenë mundësi të paraqesin qëndrimet, shqetësimet dhe propozimet e tyre.

Konsultimi publik pritet të shërbejë si një prej bazave për mbledhjen e qëndrimeve të komunitetit lidhur me të ardhmen administrative-territoriale të Patosit, në një proces që ka rikthyer në vëmendje debatin mbi funksionalitetin e bashkive, përfaqësimin e komuniteteve dhe ruajtjen e identitetit të tyre./ALB365/Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button