Rama, dhunuesi i grave, po i keqpërdor gratë e PS, që heshtin kur dhunohen gratë e vajzat shqiptare

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor politikisht deputetet gra të Partisë Socialiste, pas deklaratës së tyre për incidentin e pretenduar ndaj deputeteve Iris Luarasi dhe Ilva Gjuzi.
Në një deklaratë të përbashkët me kryetaren e LGI-së, Myrvete Asqeri, dhe zëdhënësen Jasmira Memelli, Blushi tha se Partia e Lirisë dënon çdo akt dhune, por kërkoi që ky parim të zbatohet në mënyrë të njëjtë ndaj të gjithë qytetarëve.
Sipas tij, deputetet socialiste duhet të japin shpjegime se përse, sipas tij, nuk kanë reaguar me të njëjtën ndjeshmëri ndaj rasteve kur gra dhe vajza janë përballur me policinë gjatë protestave apo gjatë konflikteve për çështje pronësie.
Ai solli në vëmendje protestat e banorëve të zonës së ‘5 Majit’ në Tiranë, duke pretenduar se në përplasjet me policinë kishte gra, vajza shtatzëna dhe fëmijë. Blushi përmendi gjithashtu rastin e Nënë Lizës, e cila u bë një nga figurat simbol të protestave kundër shembjes së banesave.
Blushi tha se i njëjti standard duhet të vlejë edhe për gratë që marrin pjesë në protesta dhe për qytetaret që përballen me strukturat shtetërore.
Deklarata e Tedi Blushit:
Dhunuesi më i madh, i certifikuar, i denoncuar i grave shqiptare, Edi Rama po përpiqet prej 24 orësh, për të krijuar një viktimizim politik, duke keqpërdorur brutalisht deputetet gra të PS, që kanë dalë me një deklaratë, për të dënuar, atë nuk mbështetet nga pamjet e bëra publike, gjoja dhunën e pretenduar nga protestuesit paqësore, ndaj deputeteve Iris Luarasi dhe Ilva Gjuzi.
Parimi që dhuna është e papranueshme është i drejtë dhe Partia e Lirisë e mbështet pa asnjë rezervë.
Partia e Lirisë e dënon pa asnjë ekuivok çdo akt dhune, ndaj kujtdo qoftë
Por pikërisht për këtë arsye, këto deklarata nuk mund të mos përballen me pyetjen më të thjeshtë: pse ky standard i ndjeshmërisë për dhunën shfaqet vetëm kur bëhet fjalë për deputetet e mazhorancës dhe zhduket, nuk ekziston, kur viktimat e dhunës janë gra, vajza, nëna, protestuese apo qytetare që përballen me dhunën fizike dhe cnjerëzore të pushtetit, me arrestime dhe burgosje të tyre?
Ku ishin gratë deputete të Partisë Socialiste kur Narkopolicia e Edi Ramës u përplas dhunshëm me banorët e ‘5 Majit’ dhe kur u shembën shtëpi, ndërsa në mesin e atyre që përballeshin me policinë kishte gra, vajza shtatzëna dhe fëmijë të mitur që rrihen brutalisht, rrëmbeshin me dhunë e coheshin në komisariate, helmoheshin me gaz lotjsellës dhe shihnin të shkatërrohej shtëpia e tyre?
Ku ishin kur Nënë Liza u bë simbol i një gruaje të pambrojtur përballë një regjimi kriminal që kishte vendosur të përdorte dhunën, për t’i shembur shtëpinë e për ta nxjerrë mes katër rrugëve?
Ku ishin kur gratë dhe vajzat që protestonin u përballën me gaz lotsjellës dhe forcën e policisë?
A kishte atëherë ndonjë kor deputetesh socialiste që të dilte dhe të thoshte se dinjiteti i një gruaje shqiptare nuk mund të shkelet, pavarësisht nëse ajo është deputete apo qytetare e zakonshme?
Ku ishin atëherë?
Asnjë prej tyre nuk ngriti zërin për të mbrojtur nënat, motrat, gratë, bashkëshortet, vajzat shtazëna dhe të miturat që dhunoheshin brutalisht.
Dhe sot, kur deputetë të PS-së flasin me aq shumë indinjatë për dhunën, Partia e Lirisë i pyet: pse nuk u dëgjuan të njëjtët zëra kur dhuna vinte nga strukturat shtetërore? Pse nuk u dëgjua e njëjta ndjeshmëri kur gratë dhe vajzat përballeshin me policinë? Pse nuk pati të njëjtin solidaritet kur familjeve iu shembeshin shtëpitë? Pse heshtja ishte kaq e plotë kur viktimat nuk ishin pjesë e pushtetit?
Por ka edhe një kontradiktë edhe më të madhe, sepse nuk mund të flitet për mbrojtjen e grave nga dhuna politike dhe njëkohësisht të mbyllen sytë përballë denoncimeve që kanë ardhur nga vetë gratë brenda Partisë Socialiste.
Ku ishin këto deputete kur Elisa Spiropali foli për ekzistencën e mekanizmave të frikës dhe për nevojën që brenda një force politike të ketë zëra që kërkojnë një Shqipëri më të mirë?
Pse nuk pati një solidaritet të hapur me një kolege që kishte zgjedhur të artikulonte shqetësimet e saj? Pse mekanizmat e frikës u kthyen në një çështje që duhej kaluar në heshtje dhe jo në një alarm demokratik që duhej hetuar dhe diskutuar publikisht?
Dhe çfarë ndodhi me Marjana Koçekun? Një deputete e zgjedhur në listën e PS-së vendosi të largohej nga grupi parlamentar dhe të vijonte si deputete e pavarur; më pas u përball me kërcënimet e Bajrave.
Pse atëherë nuk dëgjuam të njëjtin shqetësim për lirinë e një gruaje për të menduar ndryshe, për të votuar ndryshe dhe për të zgjedhur rrugën e saj politike?
Apo mbrojtja e grave vlen vetëm kur ato janë në rreshtin e Edi Ramës?
Apo demokracia brenda Partisë Socialiste fillon dhe mbaron aty ku fillon bindja ndaj Kryetarit të Organizatës?
Kjo është pyetja që duhet t’i bëjnë sot vetes të gjitha gratë deputete të PS-së.
Sepse nuk mund të dalësh para kamerave dhe të deklarosh se je kundër dhunës, ndërkohë që hesht kur dhuna ushtrohet ndaj grave që nuk janë pjesë e pushtetit.
Nuk mund të flasësh për dinjitetin e një deputeteje dhe të mos flasësh për dinjitetin e një nëne që i shembet shtëpia.
Nuk mund të kërkosh respekt për një grua politikane dhe të heshtësh kur një vajzë e re përballet me policinë vetëm sepse ka dalë në protestë. Nuk mund të kërkosh standarde demokratike për veten dhe të pranosh standarde represive për qytetarët.
Dhe kjo hipokrizi bëhet edhe më e rëndë sot, kur protestat kundër qeverisë kanë hyrë në muajin e katërt dhe kur qytetarët që kanë dalë në rrugë janë përballur me dhunën barbare të policisë.
Ku janë gratë deputete të PS-së kur arrestohen protestuesit? Ku janë kur gratë dhe vajzat dalin në rrugë? Ku janë kur Narkoshteti përballet me qytetarët me kordonë policie, gaz lotsjellës dhe forcë? Ku është zëri i tyre kur në qelitë e policisë përfundojnë qytetarë që kanë dalë të protestojnë kundër qeverisë?
Nuk mund të ketë një grua që meriton mbrojtje sepse është deputete dhe një tjetër që mund të poshtërohet, shtyhet, goditet apo arrestohet sepse është qytetare dhe kundërshton qeverinë.
Kjo nuk është mbrojtje e grave. Ky është përdorim politik dhe dhunim i grave.
Partia e Lirisë nuk justifikon asnjë akt dhune, ndaj askujt dhe në asnjë rrethanë.
Por pikërisht sepse e besojmë këtë parim, ne kërkojmë që ai të zbatohet pa dallim politik. Nëse dhuna është e dënueshme kur pretendohet se prek një deputete socialiste, atëherë është po aq e dënueshme kur prek një protestuese, një nënë, një vajzë apo një qytetar që nuk ka asnjë pushtet.
Kur dhuna nga grave vjen nga pushteti, ajo nuk mund të quhet ‘rend’. Kur grate protestojnë ndaj dhunuesve të tyre, kjo nuk mund të quhet ‘dhunë’.
Ky standard i dyfishtë është pikërisht ajo që Partia e Lirisë refuzon.
Ne nuk justifikojmë dhunën ndaj askujt. As ndaj deputetes, as ndaj protestuesit, as ndaj gruas, as ndaj burrit, as ndaj askujt.
Në një shtet të së drejtës ka vetëm një standard.
Dhuna është dënueshme në çdo rast.
Nëse integriteti i një deputeteje duhet mbrojtur, duhet mbrojtur edhe integriteti i Nënë Lizës.
Nëse dinjiteti i një gruaje në Parlament është i paprekshëm, atëherë është i paprekshëm edhe dinjiteti i një nëne që përballet me dhunën e narkopolicisë, arrestimet apo fadromën e Narkoshtetit.
Nëse një grua nuk duhet prekur për shkak të bindjeve të saj politike, atëherë nuk duhet arrestuar, dhunuar apo intimiduar asnjë grua që del në rrugë për të protestuar.
Kjo është demokracia. Ky është shteti ligjor.
Shteti ligjor nuk njeh ‘gra të pushtetit’ dhe ‘gra të popullit’.
Nuk njeh gra të kategorisë së parë dhe gra të kategorisë së dytë.
Nuk njeh të drejtën që pushteti të ketë privilegjin të dënojë dhunën kur i leverdis dhe ta justifikojë kur ajo ushtrohet nga strukturat e tij.
Prandaj, në emër të Partia e Lirisë u kërkojmë grave deputete të PS-së: nëse doni të flisni vërtet në emër të të drejtave të grave shqiptare, mos e kufizoni zërin tuaj tek gratë deputete që janë në krahun e Edi Ramës.
Flisni për Nënë Lizën. Flisni për gratë dhe vajzat e protestave. Flisni për nënat që kanë humbur shtëpitë. Flisni për qytetaret që janë përballur me policinë. Flisni për gratë që kanë guxuar të mendojnë ndryshe. Flisni edhe kur presioni vjen nga brenda vetë pushtetit tuaj.
Sepse nëse solidariteti juaj shfaqet vetëm kur preket Edi Rama, atëherë nuk po mbroni gratë shqiptare.
Po mbroni dhunuesin më të madh të grave, Edi Ramën.
Demokracia shqiptare nuk ka nevojë për gra që keqpërdoren si mburojë nga Edi Rama.
Shqipëria ka nevojë për gra të lira, të forta dhe të guximshme, të mbështetura, të mirëpaguara, që meritojnë shërbime dinjitoze, që nuk heshtin përballë pushtetit, edhe kur presioni vjen nga vetë pushteti që i ka bërë deputete.
Partia e Lirisë do të jetë në krah të tyre dhe në krah të çdo qytetari që kërkon liri, dinjitet dhe shtet ligjor.
Sepse dhuna nuk bëhet e pranueshme kur ushtrohet nga pushteti dhe nuk bëhet më e dënueshme kur pretendohet se prek Narkopushtetin.
Në mbështetje të grave, për një Shqipëri të lirë nga dhunuesit e tyre, nga frika dhe nga Narkopushteti, të lirë nga dhunuesi më i madh i grave, Edi Rama.










