Dyshohet për falsifikim pronash dhe pastrim parash/ Prokuroria e Fierit sekuestron 2.6 mln euro dhe një “Bentley”

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka sekuestruar 2.6 milionë euro në llogari bankare, si dhe një automjet luksoz tip “Bentley”, në kuadër të hetimeve për falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Pasuritë i përkasin shtetasit Kastriot Hasko i cili aktualisht ndodhet nën masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”. Sipas Prokurorisë, dyshohet se përmes vendimeve të falsifikuara ai ka arritur të regjistrojë sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Në vijim të hetimeve, janë sekuestruar:
2,610,195 euro
1,865,076 lekë
7,515 dollarë amerikanë
Një automjet “Bentley Flying Spur”, i vitit 2024, me vlerë të deklaruar blerjeje 250 mijë euro.
Sipas organit të akuzës, këto pasuri dyshohet se janë produkte të veprave penale që janë objekt i hetimit. Kastriot Hasko është nën hetim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 186/2 dhe 287 të Kodit Penal. Prokuroria e Fierit deklaron se do të vijojë hetimet për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se kanë prejardhje nga veprimtari kriminale.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Hetimet mbi falsifikimin e pronave, Prokuroria e Fierit sekuestron 2.6 milionë euro llogari bankare të shtetasit K.H., dhe një ‘Bentley’
Me vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan 2.6 milionë euro në llogari bankare si dhe një automjet tip ‘Bentley’ të shtetasit K.H., nën akuzë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga nenet 186/2 dhe 287 të Kodit Penal.
Ky shtetas, aktualisht me masë sigurimi “Arresti në shtëpi”, nëpërmjet vendimeve të falsifikuara ka arritur të regjistrojë sipërfaqe të konsiderueshme toke. Për rrjedhojë në vijim të hetimeve u sekuestruan:
Llogari bankare me vlera:
– 2,610,195 Euro (dy milion e gjashtëqind e dhjetë e njëqind e nëntëdhjetë e pesë euro);
– 1,865,076 Lek (një milion e tetëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e shtatëdhjetë e gjashtë lek);
– 7,515 USD (shtatë mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë dollarë amerikanë); si dhe
– Një automjet tip “Bentley” model “Flying Spur”, vit prodhimi 2024, me vlerë blerje të deklaruar 250,000 Euro (dyqind e pesëdhjetë mijë euro), të cilat dyshohen se janë produkte të veprave penale objekt i hetimeve të këtij procedimi penal.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me prejardhje nga veprimtari kriminale.







