Mësuesi 60-vjeçar del para gjykatës në Fier, dyshohet se i dërgonte mesazhe erotike një 13-vjeçareje (video)

Fier- Ka mbërritur në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mësuesi 60-vjeçar, Madrid Sula, ndaj të cilit rëndojnë akuza lidhur me komunikime të papërshtatshme me një të mitur.
Sipas dyshimeve të ngritura nga organet ligjzbatuese, 60-vjeçari dyshohet se i ka dërguar mesazhe me përmbajtje erotike një nxënëseje 13-vjeçare, duke komunikuar në mënyrë të papërshtatshme me të miturën.
Sipas të dhënave të bëra me dije për rastin, 13-vjeçarja, e cila raportohet se kishte shfaqur një gjendje të rënduar psikologjike, ua ka treguar fillimisht prindërve komunikimet. Më pas, nëna dhe babai kanë bërë denoncim pranë Policisë së Lushnjës.
Pas administrimit të komunikimeve dhe kryerjes së verifikimeve, policia ka bërë arrestimin e mësuesit, ndërsa materialet e procedimit i janë përcjellë organeve kompetente për vijimin e procedurave ligjore.
Sot, Madrid Sula do të dalë përpara gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Seanca zhvillohet përpara trupit gjykues ku marrin pjesë gjyqtari Noel Veizi dhe prokurori Skerdi Sinanaj.
Mbi 60-vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale të “Veprave të turpshme” dhe “Pornografisë”, sipas përcaktimit të bërë në procedimin penal.
Gjykata pritet të shqyrtojë provat dhe rrethanat e çështjes përpara se të vendosë lidhur me masën e sigurisë.
I pandehuri konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.








