80 fabrika pa leje mjedisore/ Gjanica ndotet nga mbetjet e ullirit, prodhuesit paralajmërojnë: Do ta çojmë ullirin jashtë për përpunim!

FIER – Sezoni i përpunimit të ullirit ka nisur, por bashkë me prodhimin e vajit rikthehet edhe një problem shqetësues për mjedisin në qarkun e Fierit, ndotja e lumit Gjanica nga mbetjet e fabrikave të përpunimit të ullirit.
Qytetarët shprehen të shqetësuar për ndotjen e lumit, si dhe për aromën e rëndë dhe të pakëndshme që përhapet në zonat pranë tij. Sipas tyre, ky fenomen përsëritet çdo vit gjatë sezonit të prodhimit të vajit të ullirit, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës dhe mjedisin.







Edhe përfaqësues të shoqatës së mbrojtjes së mjedisit e konsiderojnë situatën alarmante, duke kërkuar reagimin e institucioneve përgjegjëse. Ata theksojnë se strukturat që paguhen për monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit duhet të dalin nga pasiviteti dhe të marrin masa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi, përpara se ndotja të marrë përmasa edhe më të mëdha.

Nga ana tjetër, përfaqësues të fabrikave të përpunimit të ullirit ngrenë shqetësimin se ndodhen përballë një ngërçi ligjor dhe teknik. Sipas tyre, më parë kanë ushtruar aktivitetin të pajisur me leje mjedisore të tipit C, por këto leje tashmë janë hequr nga kuadri në fuqi dhe janë zëvendësuar me kërkesa të tjera mjedisore.
Pronarët e fabrikave thonë se u kërkohet të plotësojnë kushte të reja, përfshirë sistemet e trajtimit dhe depozitimit të mbetjeve, por kapacitetet e tyre të prodhimit e bëjnë të vështirë përmbushjen e këtyre kërkesave.


“Ne prodhojmë rreth 15 mijë litra lëngje në ditë dhe nuk kemi ku t’i dërgojmë. Na kërkohet të ndërtojmë gropa septike, por kjo nuk është një zgjidhje për sasitë e mëdha të mbetjeve që gjenerojmë gjatë procesit të përpunimit. Kemi kërkuar ndihmën e Ministrisë së Mjedisit, por deri tani nuk kemi marrë përgjigje apo një zgjidhje konkrete”, shprehen përfaqësues të subjekteve prodhuese, pohuan ata nëpërmjet telefonit.
Ndërkohë, nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit në Fier bëhet me dije se lejet mjedisore të tipit C nuk janë më të vlefshme dhe se subjektet duhet të pajisen me leje mjedisore të tipit B, në përputhje me kërkesat aktuale ligjore.
Sipas të dhënave të bëra me dije nga kjo drejtori, në qarkun e Fierit operojnë rreth 80 fabrika të përpunimit të ullirit, të cilat prodhojnë vaj, por deri më tani asnjëra prej tyre nuk është pajisur me lejen mjedisore të tipit B, të ndërtojnë impiant të përpunimit e pastrimit të mbetjeve.




Kjo situatë ka krijuar një ngërç mes institucioneve dhe prodhuesve, ndërsa sezoni i përpunimit është në kulmin e tij dhe mbetjet që dalin nga procesi teknologjik kërkojnë trajtim të posaçëm.
Pronarët e fabrikave paralajmërojnë se, nëse nuk gjendet një zgjidhje, industria vendase e përpunimit të ullirit mund të përballet me vështirësi serioze. Ata e krahasojnë situatën me atë të naftës bruto, e cila eksportohet për t’u përpunuar jashtë vendit, duke ngritur shqetësimin se në të ardhmen edhe fermerët shqiptarë mund të detyrohen ta dërgojnë ullirin jashtë kufijve për të prodhuar vaj.
Në këtë përplasje mes shqetësimeve mjedisore dhe vështirësive të industrisë, mbetet urgjente gjetja e një zgjidhjeje institucionale. Mbrojtja e lumit Gjanica dhe mjedisit nuk mund të mbetet peng i mungesës së infrastrukturës, ndërsa prodhuesit kërkojnë rregulla të qarta dhe mbështetje për të vijuar aktivitetin e tyre.
Një problem që kërkon ndërhyrje të menjëhershme, pasi në fund të kësaj situate rrezikojnë si mjedisi, ashtu edhe vetë prodhimi vendas i vajit të ullirit./ALB365/Xhemil Beharaj












