AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Alarm në fshatrat e Fierit/ Nafta dhe pesticidet braktisin grurin – 80% e tokave mbeten djerrë

FIER – Çmimet e larta të naftës dhe pesticideve, cilësia e dyshimtë e produkteve për mbrojtjen e bimëve, si dhe mungesa e mbështetjes me subvencione po dërgojnë drejt rrënimit kultivimin e drithërave në zonën e Fierit. Fermerët në fshatrat Shën Pjetër, Topojë, Seman, Seman Sektor dhe Grykë-Seman po detyrohen të reduktojnë në mënyrë drastike sipërfaqet e mbjella me grurë, elb dhe tërshërë, duke lënë me qindra hektarë tokë djerrë.

​Kostot e papërballueshme të prodhimit dhe pafuqia e subvencioneve

Sipas fermerëve të zonës, shkaku kryesor i kësaj gjendjeje alarmante mbetet rritja e vazhdueshme e kostove direkte të prodhimit. Çmimi i lartë i naftës ndikon drejtpërdrejt në secilin etapë të punimit të tokës – që nga lavërimi, frezimi e deri te mbjellja dhe korrja.

​Përveç karburantit, goditje të rëndë bujqësisë vendase po i japin edhe çmimet e papërballueshme të pesticideve dhe plehrave kimike, të cilat shoqërohen shpesh edhe me ankesa për cilësinë e tyre të dobët. Fermerët shprehen të zhgënjyer nga skemat aktuale të subvencioneve, duke i cilësuar premtimet e qeverisë si të pamjaftueshme për të mbuluar qoftë edhe një pjesë të vogël të shpenzimeve reale në terren.

Ankesat e fermerëve për çmimin e naftës dhe cilësinë e pesticideve.

Dramatike: Nga 1,800 hektarë, sot mbillet vetëm 20% e tokës

​Bilanci i mbjelljeve në këto pesë fshatra të Fierit flet për një rënie drastike nga viti në vit:

  • ​Sipërfaqja historike: Dikur në këtë zonë kultivoheshin rreth 1,800 hektarë me drithëra.
  • ​Gjendja sot: Aktualisht fermerët pohojnë se mbillet vetëm rreth 20% e kësaj sipërfaqeje.
  • ​Humbja: Rreth 80% e tokës bujqësore që përdorej për grurë, elb e tërshërë po mbetet djerrë.

Shpopullimi dhe braktisja e tokës me qira

Përveç vështirësive financiare, situata rëndohet edhe më tej nga faktori demografik. Shpopullimi i shpejtë i fshatrave ka bërë që në shumë banesa të mbeten vetëm të moshuar – shpesh vetëm një apo dy persona për shtëpi – të cilët nuk kanë më mundësi fizike apo ekonomike për t’u marrë me punët e bujqësisë.

​Edhe zgjidhja e dhënies së tokave me qira po zbehet çdo ditë e më shumë. Qiramarrësit dhe fermerët e mëdhenj po tërhiqen me shpejtësi, pasi me çmimet aktuale të grumbullimit dhe kostot e larta të imputeve, kultivimi i drithërave nuk rezulton më me asnjë leverdi ekonomike.

Arat e mbetura djerrë në fshatrat e njësisë Topojë e Seman.

Paralajmërimi i fermerëve: Pa ndërhyrje, bujqësia po shkon drejt shuarjes

​Fermerët e zonës bregdetare të Fierit paralajmërojnë se nëse nuk do të ketë një paketë konkrete ndihme, ulje reale të kostove të karburantit dhe kontroll të rreptë mbi tregun e pesticideve, braktisja e tokës bujqësore do të jetë totale brenda pak stinëve.

​Humbja e sipërfaqeve të mbjella me grurë e elb jo vetëm që cenon krizën e bukës dhe sigurinë ushqimore në nivel lokal e kombëtar, por po zbraz përfundimisht fshatrat e Fierit nga fuqia punëtore.

Apeli i banorëve të Shën Pjetrit dhe Grykë-Semanit për ndërhyrje të menjëhershme.

Fermerët thonë se qeveria duhet të uli çmimin e pesticideve, të kontrollojë cilësinë e tyre se po shiten të skaduara, të uli çmimin e naftës për mjetet bujqësore dhe të jap subvencione sipas premtimit dhe aty ku punohet. /ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button