EKONOMI

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës ndez motorët e ekonomisë.

Çelet edicioni i 32-të i Panairit Ndërkombëtar Klik Ekspo Group,

Tirana kthehet në kryeqendrën e biznesit ndërkombëtar

Tirana, kryqëzim i ekonomive dhe investimeve ndërkombëtare,

TIF 32 hap horizonte të reja bashkëpunimi

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës çeli siparin e edicionit të 32-të në Pallatin e Kongreseve, duke e kthyer kryeqytetin shqiptar, në një pikë të rëndësishme takimi për biznesin, sipërmarrjen dhe bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar.

Tirana International Fair këtë vit mirëpret mbi 300 kompani ekspozuese nga data 3 deri më 6 nëntor, dhe mbetet një nga manifestimet më të rëndësishme të biznesit në Shqipëri, si dhe një platformë e konsoliduar për promovimin e sipërmarrjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Ceremonia e hapjes mblodhi përfaqësues të qeverisë, komunitetit diplomatik, përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, si dhe kompani vendase e të huaja, ku në fjalët përshëndetëse u vlerësua kontributi i Klik Ekspo Group gjatë më shumë se tre dekadave në zhvillimin e këtij aktiviteti dhe në krijimin e mundësive të reja për biznesin.

32 vite Klik Ekspo Group

Luel Muhametaj, menaxheri i Përgjithshëm i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa u ndal në rrugëtimin e Klik Ekspo Group ndër vite, theksoi se prej më shumë se tre dekadash, qëllimi i këtij panairi ka qenë të ndihmojë njerëzit dhe bizneset të gjejnë njëri-tjetrin dhe se këtë vit, ky mision po shkon një hap më tej, aq më tepër në një periudhë pasigurie gjeopolitike, kur tensionet mes vendeve ndikojnë në vendimet për tregtinë dhe investimet. ‘’Bashkimi i njerëzve rreth interesave të përbashkëta të biznesit ndihmon në ruajtjen e dialogut dhe krijon një bazë konkrete për bashkëpunim. Kjo frymë qëndron në themel të modelit tonë të “panairit të panaireve”, i cili sjell nën një çati ekspozita të specializuara nga industri të ndryshme,’’ tha Muhametaj, ndërsa shtoi se platforma e re B2B  ndihmon të gjenden kompanitë e duhura, dhe të planifikohen takime.

Investimet në Energjetikë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, përshëndeti aktivitetin, duke bërë një pasqyrim të ecurisë së sektorit energjetik në vend. Ai theksoi se gjatë dekadës së fundit janë rritur ndjeshëm investimet, është hapur Bursa Shqiptare e Energjisë, është ulur çmimi për konsumatorët dhe, mbi të gjitha, është rritur prodhimi vendas i energjisë elektrike përmes diversifikimit të burimeve.

“Vetëm për pesë vite ne ia kemi dalë që të kemi rreth 650 mega kapacitet shtesë energjie fotovoltaike, që sot përbën rreth 11% të energjisë së prodhuar në vend.  Sigurisht që ky është një zhvillim shumë pozitiv, jo vetëm për investitorët, por së pari edhe për vetë tregun dhe sektorin energjetik vendas, sepse gjatë sezonit veror ne jemi më të sigurt për sa i përket energjisë së zhvilluar”, u shpreh ministri.

Karakaçi u ndal edhe te ankandet e zhvilluara për ndërtimin e parqeve eolike, duke ndarë me të pranishmit detaje për dy investime konkrete në sektorin e energjisë së erës.

“Kemi tentuar ta zbatojmë këtë gjë edhe për energjinë e erës. Vetëm para tre-katër ditësh unë nënshkrova fillimin e punimeve për impiantin e parë të erës të ndërtuar nga kompania austriake VERBUND me kapacitet rreth 75 mega, që është kapaciteti i parë i erës në Shqipëri në një përmasë të tillë, edhe ai i zhvilluar me anë të një ankandi kompetitiv, transparent dhe që realizoi mundësinë për ardhjen e këtyre investitorëve. Pse po ndalem tek ankandi, për t’ju thënë që ai që është i interesuar, brenda fundit të këtij viti ose fillim vitit pasardhës, ne njoftojmë një ankand të ri në Shqipëri, me kapacitet mbi 300 mega, i zhvilluar përsëri me BERZH, që këtë herë do ketë edhe bateritë si teknologji që i atashohen këtyre impianteve”, deklaroi Karakaçi.

Bujqësia dhe Zhvillimi Rural

I ftuar në ceremoninë hapëse, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla vlerësoi panairin, për mundësitë reale që ofron për sipërmarrjen shqiptare dhe për të depërtuar në tregjet ndërkombëtare.

“Ky panair nuk është thjesht një hapësirë ekspozimi. Është një mundësi për të krijuar partneritete, për të tërhequr investime dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ekonomik”, u shpeh Salla.

Sipërmarrjet me lidhje të drejtpërdrejta në sektorin bujqësor, zënë një hapësirë të dedikuar në Panarin e 32-të Ndërkombëtar të Tiranës, pasi bujqësia shqiptare është një sektor me potencial jo vetëm për prodhimin, por edhe për përpunimin, eksportin, inovacionin dhe krijimin e vlerës së shtuar.

“Ne besojmë se e ardhmja e bujqësisë nuk ndërtohet vetëm mbi traditën tonë të pasur, por mbi modernizimin, teknologjinë, standardet evropiane dhe investimet e reja. Shqipëria ka tokën, klimën, produktet cilësore dhe mbi të gjitha njerëzit që punojnë çdo ditë në këtë sektor. Për këtë qëllim, përmes skemave kombëtare të mbështetjes, krahas subvencioneve direkte për fermerët dhe Garancisë Sovrane, po i japim një rëndësi gjithnjë e më të madhe bashkëfinancimit të investimeve” tha ministri, ndërsa foli edhe për mekanizmat dhe incentivat që  Ministria e Bujqësisë ka ngritur për rritjen e kapaciteteve në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button