Saturday, February 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETAgron Shehaj flet për mediat italiane: Kujdes! Rama nuk është ashtu siç...

Agron Shehaj flet për mediat italiane: Kujdes! Rama nuk është ashtu siç shitet në Perëndim

Nga Giulia Pompili, “Il Foglio”

“Ai që ju në Perëndim e shihni si një kryeministër të ndriçuar dhe perëndimor, këtu në Shqipëri sillet si një despot i vogël ballkanik”. Kështu shprehet Agron Shehaj, 45 vjeç, një nga figurat e njohura të së djathtës në Shqipëri dhe deputet i zgjedhur me Partinë Demokratike sot në opozitë.

Sipas Shehajt, marrëveshja ndërmjet kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe kryeministres italiane, Xhorxhia Meloni, për ta lejuar Italinë të ndërtojë në territorin shqiptar të paktën 2 qendra për menaxhimin e emigrantëve të paligjshëm është “teknikisht shumë e vështirë për t’u zbatuar”.

“Unë kam qenë vetë emigrant në Itali. Mbërrita në vendin tuaj në vitin 1991, dhe jam dakord me çdo formë bashkëpunimi, e cila mund ta ndihmojë Italinë në menaxhimin e emigrantëve dhe për t’i garantuar të drejtat elementare cilitdo që mbërrin atje. Mbi këtë nuk kam asnjë dyshim”- thekson ai.

Por problemi sipas tij është më shumë i natyrës teknike, dhe ka të bëjë me transferimin  e sovranitetit territorial, që në fakt duhet të jetë i garantuar: “Është themelore çështja e juridiksionit mbi territorin, sepse Kushtetuta garanton integritetin territorial të vendit. Si mund  të hiqet dorë nga sovraniteti, qoftë edhe i një pjesë të territorit?”.

Dje opozita paraqiti një kërkesë në parlament për një interpelancë urgjente me kryeministrin mbi këtë marrëveshje, ndërsa ka paralajmëruar do ta padisë atë në Gjykatën Kushtetuese. Por për Shehajn, problemi ka të bëjë me situatën aktuale që dominon në vend.

“Këtu Edi Rama mund të bëjë çfarë të dojë. Gjykata Kushtetuese, e sapo rikrijuar pas reformës së fundit të sistemit të drejtesisë, i është nënshkruar nevojave dhe kërkesave të Qeverisë- thotë deputeti.

Por jo vetëm kaq:“Ashtu si shumë çështje të tjera, edhe kjo marrëveshje është arritur në  mungesë totale të transparencës. Opinioni publik në Shqipëri, që gjithashtu ka një ndjenjë të fortë mirënjohjeje ndaj Italisë, mësoi vetëm nga media mbi këtë marrëveshje”- deklaron deputeti.

Sipas Shehajt Edi Rama ka një strategji të qartë për ta shitur veten jashtë vendit “si një kryeministër modern, i moderuar, që është i gatshëm të bashkëpunojë për zgjidhjen e problemeve të shteteve të tjera”. “Pak e shumë siç sillej Gadafi me naftën libiane, Rama e bën këtë me çështjen e emigrantëve”- thekson ai.

Por sipas tij nuk është rastësi që te gjitha vendet evropiane, që janë përpjekur të bashkëpunojnë me vendet e treta për menaxhimin e flukseve migratore, e kanë bërë këtë me vendet e Botës së Tretë, sepse do të ishte shumë e vështirë të arrihej një marrëveshje e ngjashme me një vend perëndimor.

“Rama mund të marrë vendime që kundërshtohen në masë nga opinioni publik, apo edhe të rrezikojë të marrë vendimet anti-ligjore dhe anti-kushtetutëse. Kjo ndodh sepse ai ka çdo pushtet në Shqipëri”- mendon deputeti.

Gjykimi i Shehajt vjen nga një deputet i opozitës “e cila tani është e asgjesuar nga Rama nëpërmjet një luftë të pamëshirshme ndaj saj”. Në fakt, edhe sipas organizatës prestigjioze Freedom House, Shqipëria është aktualisht një vend “pjesërisht i lirë”. 

Problemet kryesore, kanë të bëjnë me mungesën e transparencës mbi proceset e vendimmarrjes politike. Dhe në raportin e tij të fundit, Departamenti i Shtetit në SHBA nënvizon ekzistencën e një problemi të madh me pavarësinë e sistemit gjyqësor, dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

“Nuk është për t’u habitur që në zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri, partia në pushtet fitoi mbi  90 për qind të bashkive. Një rezultat i tillë, nuk është normal për një vend që mund të quhet demokraci”- shprehet Shehaj.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha gjatë konferencës së përbashkët për mediat me Melonin, se pakti bazohet vetëm tek “mirënjohja” që ka Shqipëria ndaj Italisë. Edhe pse ka zëra që flasin për një lobim të fortë të Italisë për anëtarësimin e përshpejtuar të Shqipërisë në Bashkim Evropian.

Në fakt Tirana aplikoi zyrtarisht anëtarësim në union në vitin 2009, kur kryeministër ishte Sali Berisha (sot udhëheqësi kontrovers i Partisë Demokratike, që është vendosur nën sanksione nga SHBA për shkak të akuzave për korrupsion).

Për Shehajn “Edi Rama nuk ka asnjë interes për ta futur Shqipërinë në BE, pasi kjo do të ishte e barabartë me heqjen dorë nga pushteti”. “Përtej samiteve dhe buzëqeshjeve të zyrtarëve para kamerave, Bashkimi Evropian kërkon gjëra elementare dhe specifike, si sundimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit, çështje të cilat po përkeqësohen”, thotë ai.

Deputeti nënvizon se duhet pasur parasysh një çështje e rëndësishëm: Sot, Shqipëria është një vend ku niveli i demokracisë, në vend që të përparojë bën hapa prapa, dhe e njëjta gjë ndodh me korrupsionin.

Sipas të dhënave të Eurostat, gati 50 mijë njerëzit në vit gjatë 10 viteve të fundit, kanë marrë leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian. Këtyre duhet t’u shtohen edhe ata që migrojnë diku tjetër. “Kjo tregon se shqiptarët nuk shohin një ardhme në vendin e tyre”- përfundon Agron Shehaj. /Il Foglio 

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME