Aksident në aksin Fier–Mallakastër, tre të plagosur

Fier – Një aksident automobilistik me tre të plagosur ka ndodhur pak minuta më parë në aksin rrugor dytësor që lidh Fierin me Mallakastrën, në vendin e quajtur Kthesa e Krapsit.
Sipas burimeve nga vendngjarja, një automjet tip “Benz”, i drejtuar nga një grua, është përplasur me një automjet tip “Volkswagen”, që drejtohej nga një djalë i ri.
Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur. Ata janë transportuar drejt Urgjencës së Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, ndërsa pritet mbërritja e grupit të ekspertëve për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, patrullat e Policisë po marrin masa për menaxhimin e trafikut dhe normalizimin e qarkullimit të automjeteve në këtë aks rrugor.







