Aksident në autostradën Fier–Lushnje, dy të plagosur në rrethrrotullimin e Kolonjës

Lushnjë – Një aksident rrugor ka ndodhur në autostradën Fier–Lushnje, në rrethrrotullimin e Kolonjës, në kahun e lëvizjes drejt Lushnjes.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip fuoristradë ka përplasur nga pas një kamionçinë. Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që dy personat që udhëtonin në fuoristradë të mbeten të plagosur.
Të dëmtuarit janë transportuar me ambulancë drejt Spitalit të Lushnjes, ku sipas burimeve spitalore ndodhen nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka mbërritur Policia Rrugore, e cila po kryen veprimet për dokumentimin e aksidentit dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të tij.
Nga të dhënat e para dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte mjeti tip fuoristradë, i cili në momentin e afrimit në rrethrrotullim ka goditur nga pas kamionçinën.
Rrethrrotullimi i Kolonjës prej vitesh konsiderohet si një nga pikat më problematike të qarkullimit në këtë aks rrugor, ku edhe më herët janë regjistruar aksidente të rënda, disa prej tyre edhe me pasoja fatale.









