AKTUALITET

Alarm në Pazarin e Gjirokastrës, zjarri përfshin fasadën e Postës Shqiptare

Momente alarmi janë regjistruar paraditen e sotme në Pazarin e Gjirokastrës, ku një zjarr ka rënë në fasadën e godinës së Postës Shqiptare, pranë tabelave të reklamave.

Sipas Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) Gjirokastër, rreth orës 09:45 Salla Operative e Policisë së Shtetit njoftoi për incidentin, duke bërë që forcat zjarrfikëse të niseshin menjëherë drejt vendngjarjes.

Në momentin e mbërritjes, flakët rrezikonin jo vetëm godinën e Postës Shqiptare, por edhe banesat që ndodhen në të njëjtin objekt. Falë reagimit të shpejtë të efektivëve të MZSH-së, zjarri u izolua dhe u shua plotësisht brenda një kohe të shkurtër.

Ndërhyrja në kohë bëri të mundur vënien nën kontroll të flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre dhe dëme të mëtejshme materiale. Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button