AKTUALITET

Policia për dhunën e adoleshenteve: Njëra nga u dërgua në psikiatri, rrahu nënën e saj!

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të videos së dhunimit të një 17-vjeçareje, duke sqaruar se ngjarja ishte denoncuar dhe proceduar që në muajin qershor, menjëherë pasi viktima u paraqit në komisariat.

Sipas Policisë, më 8 qershor 2026, 17-vjeçarja, e shoqëruar nga nëna e saj, kallëzoi se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje nga kjo e fundit dhe dy vajza të tjera 15-vjeçare.

Pas denoncimit, strukturat e Policisë së Fierit, në bashkëpunim me Prokurorinë, kryen veprimet hetimore dhe shoqëruan në komisariat 19-vjeçaren dhe dy të miturat, të cilat pranuan se kishin ushtruar dhunë ndaj bashkëmoshatares së tyre për motive të dobëta.

Më 9 qershor, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të tre të dyshuarave.

Policia bën të ditur gjithashtu se më 28 qershor është arrestuar njëra prej 15-vjeçareve të përfshira në ngjarje, por për një rast tjetër. Sipas njoftimit, arrestimi u krye pasi nëna e saj e kallëzoi se ishte dhunuar fizikisht nga vajza.

Pas procedurave përkatëse dhe vlerësimit të autoriteteve kompetente, 15-vjeçarja u dërgua për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button