Ariana Grande pjesë e vazhdimit “Meet the Parents”

Ben Stiller ka zbuluar disa detaje emocionuese për filmin e katërt “Meet the Parents”, ku këngëtarja dhe aktorja Ariana Grande do të luajë.
Gjatë një interviste në “Today Show” më 9 qershor, Stiller tha se Grande është “shumë e mirë me komedinë” dhe se personazhi i saj “është motorri i gjithë filmit të ri”. Ai shtoi: “Ajo do të jetë vërtet qesharake. Është emocionuese.”
Ben Stiller, Robert De Niro, Teri Polo dhe Blythe Danner do të rikthehen për filmin e katërt, i konfirmuar nga PEOPLE në dhjetor. Filmi origjinal debutoi në vitin 2000, pasuar nga dy vazhdime: Meet the Fockers (2004) dhe Little Fockers(2010).
Ndërsa detajet e skenarit nuk janë bërë ende publike, aktorët zbuluan se filmi i ri do të përfshijë edhe elementë muzikorë. De Niro u shpreh me humor: “Gjysma e skenave që kam me Arianën janë skena ku do të këndojmë bashkë.”
Stiller tregoi gjatë një paneli në Festivalin Tribeca se ideja për filmin e ri u frymëzua nga fakti që ai tani është në të njëjtën moshë që ishte De Niro në filmin e parë.
“Fëmijët e personazhit tim janë rritur dhe një prej tyre po mendon të prezantojë partnerin/partneren me familjen,” u shpreh Stiller – duke lënë të kuptohet se personazhi i Arianës mund të jetë i lidhur me gjeneratën e re të familjes Focker.