Nicole Scherzinger fiton çmimin Tony për “Sunset Boulevard”

Nicole Scherzinger, ish-këngëtarja e The Pussycat Dolls, triumfoi në Çmimet Tony 2025 duke fituar çmimin Aktorja më e Mirë në Rol Kryesor në një Musical, për interpretimin e saj si Norma Desmond në rikthimin modern të “Sunset Boulevard”.
Çmimi iu dorëzua nga vetë Oprah Winfrey, në një moment historik për karrierën e saj.
“Gjithmonë jam ndjerë sikur nuk i përkisja,” tha Scherzinger me lot në sy gjatë fjalimit të pranimit. “Por ju më keni bërë të ndihem sikur i përkas dhe, më në fund, jam kthyer në shtëpi.”
Ky ishte çmimi i saj i parë Tony, por jo i pari vlerësim për rolin e Normës – ajo fitoi më parë edhe Laurence Olivier Award 2024 në Londër për të njëjtin rol.
Pavarësisht suksesit ndërkombëtar si pjesë e grupit The Pussycat Dolls (2003–2010), Scherzinger gjithmonë ka ëndërruar për skenën e Broadway-t. Në një video të ndarë në Instagram në dhjetor, ajo shfaqej në zonën e teatrove në Nju Jork që në vitin 2008, duke thënë:
“Mendoja se do të isha në atë anë të rrugës, jo në këtë. Por një ditë do të kthehem në shtëpi.”
Dhe ashtu ndodhi. Në maj 2025, pas nominimit të saj të parë për Tony, ajo tha për “TODAY”:
“Jam e mbushur me mirënjohje. Mos u dorëzoni kurrë, sepse nuk e dini kur do të vijë momenti juaj.”
Roli i Norma Desmond, një ish-yll i filmave pa zë që ëndërron të kthehet në skenë, përputhet në mënyrë prekëse me historinë personale të Scherzinger. Ajo tha:
“Siç thotë Norma: ‘Do të rikthehem aty ku kam lindur të jem. Ky rol më lejoi të ndaj gjithë shpirtin tim me botën.”
Rikthimi i “Sunset Boulevard” kryesoi këtë vit me 7 nominime, duke lënë gjurmë në skenën e Broadway-t. Në këtë kategori konkurruan emra të mëdhenj si Audra McDonald (“Gypsy”), Jennifer Simard dhe Megan Hilty (“Death Becomes Her”), si dhe Jasmine Amy Rogers (“BOOP! The Betty Boop Musical”).