Arrestohen bab e bir, u kapën me armë, municion luftarak dhe kokainë.

Lushnjë -Finalizohet operacioni i koduar “Fokusi”. Sekuestrohen armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe 1 automjet. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, babë e bir.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të kontrolleve të shtuara për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe atë të narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin e koduar “Fokusi”.
Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit Shkëlqim dhe Hasan Hajdari përkatësisht 56 vjeç dhe 24 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Hajdaraj, Lushnjë.
Shërbimet e Patrullës së Policisë kanë ndaluar në qytetin e Lushnjës automjetin që drejtohej nga shtetasi Hasan Hajdari . Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë.
Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër me municion luftarak për të, që dyshohet se i posedonte 56-vjeçari.
Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me sasinë e kokainës dhe automjetin.
Vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në çdo fushë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.








