Arrestohet 50-vjeçari shqiptar, kapet me 300 mijë euro dhe 32 kg lëndë narkotikë

Autoritetet italiane kanë vënë në pranga një 50-vjeçar me origjinë shqiptare dhe një 27-vjeçar nga Maroku, të dyshuar për trafik të lëndëve narkotike me qëllim shitjen. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe rreth 300 mijë euro cash.
Aksioni u zhvillua pas disa ditësh vëzhgimi, gjatë të cilave hetuesit ndoqën lëvizjet e dy të dyshuarve. 27-vjeçari u pa duke qarkulluar në disa qytete në periferi të Milanos, me ndalesa të shpeshta dhe kontakte të vazhdueshme telefonike. Më pas ai u drejtua drejt Bergamos, ku ndaloi në një zonë pushimi pranë një kamioni me targa shqiptare.
Sipas hetimeve, aty është kryer edhe shkëmbimi i dyshuar: marokeni i ka dorëzuar shoferit shqiptar dy çanta me rreth 270 mijë euro, ndërsa në këmbim ka marrë dy qese plastike me 10 kilogramë kokainë dhe 17 kilogramë heroinë. Kontrollet vijuan edhe në banesën e 27-vjeçarit, ku u gjetën edhe 2.5 kilogramë kokainë të tjera. Në një garazh në zonën e Vizzolos, policia zbuloi gjithashtu një automjet me një ndarje të fshehtë në bagazh, i dyshuar për transport droge.








