Sunday, October 13, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËArtan Lame: Shteti të legalizonte zyrat e veta dhe pastaj ato të...

Artan Lame: Shteti të legalizonte zyrat e veta dhe pastaj ato të miletit

Kreu i Kadastrës, Artan Lame ka reaguar në lidhje me një vendim të marrë dje në mbledhjen e fundit të qeverisë për këtë sezon sa i takon legalizimit të objekteve shtetërore.

Në postimin e tij në Facebook, Lame thekson se vendimi përcakton procedurat për legalizimin e objekteve shtetërore.

Sepse logjika e thjeshtë ta donte që, kur i hyri punës së legalizimeve, vetë Shteti Shqiptar sefte të legalizonte zyrat e veta dhe pastaj të legalizonte miletin”, shkruan Lame.

Reagimi i plotë i Artan Lames
NE VENDET E ÇUDITSHME EDHE PUNËT E MBARA BËHEN SË PRAPI.
Në vendet e çuditshme, si kjo Shqipëria jonë e lashtë, edhe punët e mbara bëhen së prapi. Ja t’ju jap një shembull taze fare.


Dje ishte mbledhja e fundit e Qeverisë përpara pushimeve. Pas mbledhjes, siç është adeti, dolën ministrat dhe njëri pas tjetrit bënë publike vendimet më të rëndësishme të marra gjatë kësaj mbledhjeje. Midis vendimeve të miratuara (por që nuk i binte radha për t’u bërë publik para gazetarëve) ishte dhe një nga ato vendimet me ato emrat e zymtë burokratikë: “Vendim numër datë, për një ndryshim në vendimin numër datë, për përcaktimin e rregullave, etj, etj”. Shkurt, thelbi është që ky vendim përcakton procedurat për legalizimin e objekteve shtetërore.


Ëëëëëë?! Po, po, për legalizimin e objekteve shtetërore, sepse deri sot kishte dispozita për regjistrimin e pronave shtetërore, por puna ngecte pasi shumica e tyre ishin edhe të pa legalizuara.


Eëëëëë”?! Si, si, nuk janë të regjistruara pronat shtetërore?! Po, është e vërtetë, vetëm tre-katër vitet e fundit Shteti Shqiptar e ka marrë seriozisht regjistrimin e pronave të veta.
Po le të kthehemi tek vendimi i sotëm i Qeverisë. Pyetja e parë që do bënte kushdo është: Ç’i kërkon shteti miletit të legalizohet, kur vetë shteti qenka për t’u legalizuar? Epo ky është fakti dhe, e rëndësishme është që edhe këtë çështje më në fund Shteti Shqiptar e mori seriozisht. Natyrisht siç bëhen gjithmonë gjërat në Shqipëri, së prapthi. Sepse logjika e thjeshtë ta donte që, kur i hyri punës së legalizimeve, vetë Shteti Shqiptar sefte të legalizonte zyrat e veta dhe pastaj të legalizonte miletin. Mirëpo sipas traditës arbërore “hip se të vrava zbrit se të vrava”, në këtë rast të gjithë do na hidheshin në fyt duke na thënë që pse s’bëni në fillim punët e miletit pastaj tuajat, ndaj e bëmë së prapi, pra bëmë sefte shtëpitë e miletit dhe tani po zëmë të bëjmë të shtetit.


Para disa ditësh, kontatori i legalizimeve arriti shifrën e 250.000 legalizimeve. Tani na duhet të merremi seriozisht me këtë absurdin tjetër të tranzicionit, faktin që Shteti Shqiptar ka 30 vjet që shumicën e ndërtimeve të veta i ka pa leje ndërtimi dhe, për të kryer çdo proçedurë të mëtejshme me to, i duhet që paraprakisht t’i fusë në proçesin e legalizimeve.


Janë mijëra godina shtetërore të ndërtuara përgjatë këtyre tre dekadave me investime publike, për to janë bërë tendera, për të tjera janë marrë hua apo donacione nga organizma ndërkombëtare dhe askush nuk ka vrarë mendjen t’i pajisë me leje ndërtimi, megjithëse nga viti 93’ ligji e kishte të detyrueshme këtë gjë. Bëhet fjalë për godina administrative, shkolla, spitale, për qendra të ndryshme, magazina, tregje, institucione, e plot e plot të tjera si këto.


Aq groteske është situata, sa që edhe dy nga organet kryesore të Drejtësisë së Re, na janë drejtuar ditët e fundit zyrtarisht për t’i ndihmuar, pasi nuk kanë asnjë letër për godinën në të cilën janë vendosur.


Po të doni që ta rëndoj dorën, mund të them edhe që 90% e objekteve fetare të të katër besimeve, të ndërtuara përgjatë këtyre tre dekadave, janë ndërtuar pa leje, por për fat të mirë legalizimi i tyre ka ecur bajagi mirë, pasi rreth 70% e tyre janë legalizuar këto vitet e fundit (840 kisha, xhami e teqe të legalizuara deri tani).


I them të gjitha këto, jo për të qenë pjesë e skemës “pupupu, si e lanë ata, e shiko çfarë bëmë ne”, por për t’ia thënë njëri-tjetrit në sy të vërtetën tonë, që kjo është shoqëria shqiptare që ka prodhuar këtë shtet, që të paktën pak nga pak po përpiqet të sistemojë dhe të disiplinojë veten.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME