Asambleja Parlamentare e KiE miraton raportin për zgjedhjet më 11 Maj

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKiE) miratoi sot raportin për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri. Thirrja për autoritetet shqiptare është që të tregojnë vullnet të fortë politik për të adresuar mangësitë e identifikuara gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve të fundit parlamentare 11 maj it “në mënyrë që të sigurohet përputhshmëria me standardet evropiane në proceset zgjedhore”.
APKIE u bëri thirrje autoriteteve që, në veçanti, të zbatojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe OSBE/ODIHR-it, të rishikojnë rregullat financiare të fushatës, të depolitizojnë administratën zgjedhore, të ruajnë integritetin e procesit zgjedhor dhe të ndajnë qartë partinë në pushtet nga shteti. Delegacioni gjithashtu bëri thirrje për forcimin e kapaciteteve të Zyrës Kombëtare të Hetimit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të luftuar në mënyrë efektive këtë fenomen, përfshirë edhe në kuadër të procesit zgjedhor.
Sipas raportit të Simone Billi (Itali, ECPA), i paraqitur sot në seancën plenare nga Luz Martinez Seijo (Spanjë, SOC), zgjedhjet në Shqipëri ishin “konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale”, por u zhvilluan në “një mjedis jashtëzakonisht të polarizuar”.
Teksti thekson se kandidatët përgjithësisht ishin në gjendje të zhvillonin fushatë lirshëm, megjithëse disa raportuan përballje me frikësim. Votimi i diasporës, i futur për herë të parë, shënoi “një hap të rëndësishëm në historinë demokratike të Shqipërisë” dhe duhet të vlerësohet për të identifikuar fushat që kërkojnë përmirësim.
Për më tepër, delegacioni i APKiE theksoi se, partia në pushtet kishte përfituar nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë në pozicionin e saj aktual, dhe citoi shumë pretendime për ushtrim presioni ndaj votuesve, veçanërisht punonjësve të sektorit publik. Sipas raportit, dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht e qetë dhe mirë e organizuar, por me mungesë përmbushjeje të procedurave në shumë qendra votimi, një numër të konsiderueshëm incidentesh intimidimi dhe ndërhyrjes së vëzhguesve dhe anëtarëve të partive në proces, si dhe pretendime për blerje votash.