Çmimi i gazit natyror në Europë rritet ndjeshëm

Çmimi i gazit natyror në tregjet evropiane ka shënuar një rritje të ndjeshme pas ndërhyrjes ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Iran. Gjatë tregtimit të hershëm të së hënës, kontrata mujore TTF, referenca kryesore për gazin në Europë, u rrit në 42,44 euro për megavat orë (MWh), duke arritur nivelin më të lartë që prej fillimit të prillit.
Kjo rritje vjen pas sulmit amerikan ndaj objekteve bërthamore nëntokësore të Iranit, ndërhyrje që shënon përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
Analistët paralajmërojnë për pasoja serioze në tregjet e energjisë, teksa tensionet në Ngushticën e Hormuzit – një arterie kyçe për transportin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm – mund të shkaktojnë ndërprerje të mëdha në furnizime.
“Ekziston një rrezik i konsiderueshëm që Irani të përpiqet të bllokojë dërgesat përmes Ngushticës së Hormuzit,” tha Warren Patterson, ekspert i mallrave në Bankën ING.
Sipas vlerësimeve të tij, rreth 20% e tregtisë globale të gazit të lëngshëm kalon përmes kësaj ngushtice strategjike. Çdo bllokim në këtë pikë mund të ketë ndikim të menjëhershëm në tregjet globale të energjisë dhe ekonominë botërore.