AKTUALITETTOP-NEWS

Avioni “Air Tractor AT-833” vijon operacionet për shuarjen e zjarreve në Mallakastër, në mbështetje edhe 4 helikopterë dhe droni “Bayraktar”

Mallakastër – Avioni “Air Tractor AT-833”, i cili prej ditës së martë është angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarreve në Mallakastër, është rikthyer edhe këtë të mërkurë për të vijuar ndërhyrjet nga ajri në zonat e prekura nga flakët.

Ky avion i përket kompanisë me të cilën qeveria shqiptare ka nënshkruar kontratën për blerjen e tre avionëve të këtij tipi, të cilët pritet t’i bashkohen Forcës Ajrore Shqiptare në fund të këtij viti.

Burime bëjnë me dije se avioni i parë, i mbërritur në Shqipëri të martën, do të pasohet edhe nga një i dytë në ditët në vijim. Fillimisht, misioni kishte si qëllim stërvitjen e pilotëve shqiptarë për përdorimin e këtyre mjeteve ajrore, por situata e krijuar nga zjarret ka bërë që stërvitja të zhvillohet në kushte reale operacionale.
Aktualisht, “Air Tractor AT-833” po operohet nga pilotët e kompanisë, ndërsa në fazat e ardhshme të operacioneve pritet të përfshihen edhe pilotët shqiptarë.

Në mbështetje të operacioneve kundër zjarreve është përdorur gjerësisht edhe droni “Bayraktar”, i cili ka ndihmuar në zbulimin dhe gjurmimin e vatrave të zjarrit që në fazat e para, duke lehtësuar koordinimin e ndërhyrjeve.

Ndërkohë, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe katër helikopterë të Forcës Ajrore Shqiptare, të cilët vijojnë punën në zonat më problematike për të vënë nën kontroll vatrat aktive të zjarrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button