Saturday, November 9, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËBASHA I LË "DOPIO 6" TABAKUT DHE BARDHIT

BASHA I LË “DOPIO 6” TABAKUT DHE BARDHIT

Nga Armand Shkullaku – Ajo që ndodhi mbrëmë në orët e vona të natës, në kryesinë e PD së vulës, nuk ishte asgjë tjetër veçse konfirmimi i një skenari të parashkruar shumë kohë më parë. Lulzim Basha ka realizuar aktin e parafundit të një projekti politik, që përfundon me rikthimin e tij në krye të një ngastre që i ka mbetur nga ajo që quhet Partia Demokratike zyrtare.

Projekti politik i Bashës ka qenë i qartë. Ai ka vepruar me një synim të përcaktuar më së miri, që kur shpalli të ashtuquajturën dorëheqje një vit e ca më parë. Ai dha dorëheqjen, por nuk e depozitoi atë në gjykatë, i garantuar nga pushteti, se pavarësisht vendimit të gjykatës së Tiranës, ai do të figuronte përsëri zyrtarisht kryetar i Partisë Demokratike.

Sipas të njëjtit plan, gjykatat mbajtën zvarrë për plot në 9 muaj vendimin se kujt i takonte logoja dhe vula zyrtare e PD, deri dy ditë para afatit të regjistrimit të partive politike në KQZ.

Zgjedhja e Aliebeajt si kryetar i komanduar, ishte gjithashtu pjesë e projektit politik të Bashës. Institucionet zgjedhore, ndoqën skenarin me porosi të pushtetit, dhe caktuan në fletën e votimit të PD së vulës, emrin e Alibeajt.

Fijet pas tij, në të gjithë këtë proces, në vendimin për të dalë me kandidatë në zgjedhjet lokale, në emërimin e komisionerëve që miratoheshin edhe nga mazhoranca, në sulmet e kurdisura ndaj atyre që propozuan të mos dilej me kandidatë, në marrëveshjet e fshehta në zona të caktura elektorale, e deri tek dorëheqja e vetë Alibeajt, i luante Lulzim Basha. Në finalizim të këtij plani, sot Lulzim Basha po hedh hapin e radhës, që është e ashtuquajtura rizgjedhje e tij në krye të PD së vulës.

Por ndërsa Basha e ka patur të qartë synimin e tij politik, pra mbajtjen e vulës dhe flirtimin me mazhorancën, për sa kohë mund të jetë i dobishëm për pushtetin, ajo që duket absurde, është pozicioni i një pjese të kryesisë, që të martën në mbrëmje lanë mbledhjen nën sharjet dhe presionin e mbështetësve të Bashës.

Plas prapë në PD/ Basha prodhon çarjen e dytë brenda partisë 

A kanë patur ata në kokat e tyre një ide se përse qëndruan pas Lulzim Bashës, kur gjithçka dukej qartë se do të përfundonte këtu ku është sot? A ngritën ata ndonjëherë pyetjen se përse i gjithë sistemi i kontrolluar nga pushteti, u vu në lëvizje për të eleminuar nga gara e barabartë opozitën e vërtetë? A u takonin atyre logoja, komisionerët, numëruesit, koha televizive dhe paratë e dhëna nga KQZ? A besonin ata vërtetë se përfaqësonin opozitën reale?

Për gati një vit, grupimi që u largua me bisht ndër shalë nga mbledhja e kryesisë, së programuar për të rikthyer Bashën, ka dashur të jetojë në një realitet virtual.

Ky grupim nuk pati kurrë një qëndrim, qoftë për të ardhmen e vetë politike, qoftë për atë të partisë që u kishte dhënë mandatet e deputetëve. Ata silleshin sikur vërtetë ishin opozita e madhe, sikur grupin parlamentar nuk ua kishte caktuar Lindita Nikolli, sikur demokratët i kishin sytë nga ata dhe nuk arritën të shohin atë që dukej e qartë si drita e diellit dhe që gjithë të tjerët e deklaronin me zë të lartë, se pas zgjedhjeve, e gjithë kjo lojë me regji të pushtetit, do të përfundonte me rikthimin e Bashës.

Basha jep leksione për PD-në: Na duhet mendësi e re, rrugë të reja për t’u bërë shumicë 

Madje, më keq akoma, ata vazhdojnë edhe sot të jetojnë brenda skenës së teatrit absurd. Mjafton të dëgjosh deklaratën e Jorida Tabakut, ku njoftoi dorëheqjen nga nënkryetare e PD. Pyetja për të do të ishte: nga cila PD? Asaj virtuales që regjimi e emëroi si opozitë apo një PD-je që ajo e ka në mëndjen e saj. Çfarë kuptimi ka kjo dorëheqje?

Po ashtu edhe Gazmend Bardhi. “Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD”, thotë Bardhi. Cilën bashkëjetesë dhe cilin besim të qytetarëve?

Realiteti është komplet diçka tjetër dhe, as në finale të kësaj drame, si Bardhi ashtu edhe Tabaku nuk po arrijnë ta shohin dot. Ata do të jenë nesër, armiqtë e rinj të PD së vulës, tradhëtarët që flirtonin me Berishën, sabotuesit e fushatës së fundit. Do të sulmohen si nga tutkunët e Bashës ashtu dhe nga veglat mediatike të Ramës.

Por ndoshta ky është çmimi kur në politikë nuk arrin dot të kesh një qëndrim dhe një pozicion të qartë. Atë që Basha e kishte, që kur vendosi të japë të dorëheqjen për të mos e dhënë dhe për të mbetur pronar i një vule, me shpresë se mund t’i vlejë ende për të çertifikuar aktet që i nevojiten Edi Ramës. 

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME