“Bashkohuni me ne”, “çohuni nga kafja”/ Protestuesit marshojnë në Bllok

Gjatë marshimit në rrugët e Tiranës, pjesëmarrësit në protestë u bënë thirrje qytetarëve t’u bashkohen demonstratës. Teksa kaluan në zonën e ish-Bllokut, protestuesit iu drejtuan qytetarëve të ulur në lokale me thirrjen: “Çohuni nga kafja dhe ejani me ne”, duke i ftuar të bëhen pjesë e protestës.
Gjatë gjithë marshimit u dëgjuan vazhdimisht sloganet “Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët” dhe “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj pazar”.
Organizatorët ritheksuan se protesta është paqësore dhe se do të vijojë çdo ditë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Mes tyre janë dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë, krijimi i një qeverie teknike tranzitore, ndryshime kushtetuese dhe shfuqizimi i disa ligjeve që, sipas protestuesve, cenojnë interesin publik.







