Tuesday, October 15, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeUncategorizedBE-ja/ Kosovë, Serbi jepini fund retorikës nxitëse

BE-ja/ Kosovë, Serbi jepini fund retorikës nxitëse

Bashkimi Evropian ka ftuar liderët politikë në Kosovë dhe Serbi që menjëherë t’i japin fund retorikës nxitëse dhe të veprojnë me përgjegjësi. BE-ja ka shprehur shqetësim për deklaratat në të cilat përmenden lufta dhe konflikti, dhe ka shtuar se “do t’i mbaj përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”.

Kështu thuhet në deklaratën e 14 gushtit të BE-së, dërguar nga zëdhënësi, Peter Stano.

“Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimorë paraqesin shqetësim të madh. Politikanët e lartë nga të dyja palët do të mbahen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të çoj deri tek ndonjë rritje të tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”, thuhet në këtë deklaratë.

Aty thuhet se të dyja palët duhet “menjëherë t’i japin fund armiqësive mes tyre dhe deklaratave nxitëse, si dhe të veprojnë me përgjegjësi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më se në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

Presidenti i Serbisë, Akeksandër Vuçiq tha se ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet “likuidimi i popullit tonë”, duke iu referuar popullsisë serbe që jeton në Kosovë.

Një ditë pas kësaj deklarate, kryeministri Kurti tha kur zyrtarët në Beograd, përfshirë presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, flasin për dhunë dhe vrasje në Kosovë, ata flasin për vete, “flasin për imagjinatën e mendimet e tyre”.

BE-ja thotë se të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve duhet të adresohen përmes dialogut.

“BE-ja pret që dy liderët të diskutojnë këto tema sfiduese në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel me 18 gusht.

Bashkimi Evropian rikujton se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve kërkon një klimë e cila do t’i kontribuonte kthimit të besimit, pajtimit dhe raporteve të mira, “ku marrëveshjet e së kaluarës respektohen dhe implementohen në tërësi, dhe ku veprimet e deklaratat të cilat nuk janë në përputhje me interesat e përgjithshme dhe qëllimet strategjike të rajonit nuk kanë vend”.

BE-ja thotë se bashkë me EULEX-in në Kosovë, është në koordinim të afërt me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet Bashkuara të Amerikës.

Më 17 gusht, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë pas, më 18 gusht do të zhvillohet takimi i dy liderëve nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ky takim ishte thirrur pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Barrikadat u hoqën më 1 gusht dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës.

Prej atëherë liderët politikë kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella për tensionimin e situatës./REL/

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME