BETEJA E HUMBUR E KRYEBASHKIAKES ME PAZARIN E RROSKOVECIT
Nga Flamur Çepele – Dita e fundit e korrikut dhe e diela e fundit e Pazarit të Roskovecit
Pazari, kjo vlerë historike, krenaria e Roskovecit, i ka mbijetuar kohës betoniane, sepse nga vet emri është natyrë e egër dhe çdo pushtetari, nëse do bënte të fortin, do i dilnin ”lakrat në shesh”.
Ndaj, deri sot në këtë fund korriku prush, ai qëndron stoik, i papërkulur, një dëshmitar e kundërshti të shumë aseteve të tjera historike të zhdukura, ca për të mirën e ca për të keqen e komunitetit.
Bravo i qoftë Pazarit të Roskovecit! Ai është trim i papërsëritshëm, çdo të dielë shpalos risi e dukuri të reja në njërëz, bagëti e bujqësi. Por…është vënë në dukje edhe më parë, se ekziston akoma një rrëmujë, një treg masiv i paorganizuar, rrugë të bllokuara totalisht. Dikush do të thotë: Hë mo se pazar është! I përgjigjem parimisht: Po nëse në këto rrugë të kyçura nga ky qerrata Pazar. ku të paktën banojnë njëmijë banorë, larg qoftë të bjerë një zjarr, çdo të bëhet për emergjenca civile? Aty mezi kalon me këmbë jo më të hyjë zjarrfiksja apo autoambulanca! Pra nuk bëhet fjalë për ndihmë të shpejtë në territorin Pazar! Përsëri dikush i veshur me pushtet ironizon: Epo ç’na çave kokën! Pazarin e kemi gjigant e, ”nuk çalon gomari nga veshi!”
Çalon, çalon Pazari i madhërishëm, administratorë të bashkisë dhe të prefekturës së qarkut Fier! Qytetarët dhe fshatarët e krahinës së Roskovecit duhet ta harrojnë krahasimin hileqar: ”Si Pazari i Roskovecit!”
Marr nga llogaria e tij në rrjetin social facebook