Çelet sezoni turistik në Pogradec, Darëzez dhe Divjakë

Sezoni turistik në Shqipëri ka nisur zyrtarisht me një rritje të ndjeshme të interesit nga turistët vendas dhe të huaj, të cilët këtë fundmaji kanë mbushur qytetet dhe fshatrat më tërheqës të juglindjes dhe perëndimit të vendit.
Pogradeci, mikpritje dhe kulturë buzë liqenit
Në juglindje, Pogradeci dhe fshatrat piktoreskë të Linit e Tushemishtit vijojnë të mbeten ndër destinacionet më të kërkuara për bukuritë natyrore, mikpritjen dhe kulinarinë tradicionale. Historiani Ledjan Zeqollari thekson se për turistët, veçanërisht të huajt, atraksione si varret ilire të Selcës, Guri i Kamjes dhe Mali i Thatë mbeten pika kyçe të interesit kulturor.

Operatorët turistikë raportojnë kërkesa të larta për kuzhinën lokale, që mbetet ndër atraksionet më të preferuara për vizitorët nga jashtë. Në ditën e çeljes së sezonit, qyteti liqenor u mbush me vizitorë të huaj, përfshirë dy turistë nga Austria që ndanë përshtypjet e tyre:
“Një pamje fantastike, vend i mirë për të qëndruar, diell, ushqim fantastik – do rikthehemi përsëri.”
“Kisha dëgjuar për Pogradecin në internet. Liqeni ishte fantastik, çmimet shumë të lira – u relaksuam dhe bëmë plazh.”
Falë investimeve dhe paketave të reja turistike, Pogradeci është kthyer në një destinacion për të gjitha moshat. Ilir Xhakolli, operator turistik, konfirmon se edhe këtë vit ka një fluks të lartë rezervimesh nga agjenci të vendeve të Bashkimit Europian.
Fieri dhe bregdeti i Darëzezës – atraksion i ri mes valëve
Në perëndim, Fieri ka çelur sezonin turistik nën moton “Festa e Valëve”, me një koncert të larmishëm në bregdetin e Darëzezës, ku morën pjesë dhjetëra turistë vendas dhe të huaj. Klima e ngrohtë, rëra e pastër dhe deti i cekët janë arsyet që Darëzeza po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një alternativë të re bregdetare.
Një turiste gjermane tha plot entuziazëm:
“Më pëlqen shumë Shqipëria, njerëzit janë të ngrohtë dhe mikpritës. Mendoj që do të jetoj këtu deri në fund të jetës.”
Edhe vizitorë shqiptarë që jetojnë në Suedi e Fieri treguan se zgjedhin Darëzezën për qetësinë dhe cilësinë e ujit.
Kryebashkiaku Armando Subashi njoftoi përgatitjet për një sezon më të suksesshëm, duke theksuar hartimin e një masterplani për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe ndërtimin e strukturave të reja hotelerie. Ai sqaroi se:
“40% e sipërfaqes së rërës do të mbetet publike, ndërsa pjesa tjetër do t’u jepet operatorëve privatë, të cilët do operojnë me standarde të larta.”
Gjatë këtij sezoni, në vijën bregdetare Darëzezë–Seman do të operojnë 61 operatorë turistikë sezonalë, ndërsa vijojnë investimet për përmirësimin e infrastrukturës dhe ujësjellësit.
Divjaka – turizëm gjithëvjetor në Parkun Kombëtar
Ndërkohë, Divjaka mirëpriti sezonin e ri me një festë të madhe në fund të majit. Muzika, sportet, gatimet tradicionale, ekspozitat e makinave Retro dhe një sërë artistësh lokalë e të ftuar krijuan një atmosferë festive për turistët.
Bizneset në zonë kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e shërbimeve dhe kanë shtuar kapacitetet pritëse për të përballuar kërkesën gjithnjë në rritje. Ato ofrojnë produkte të freskëta deti nga laguna dhe çmime më të ulëta krahasuar me destinacione të tjera bregdetare.
Sipas kryetarit të bashkisë, Josif Gorrea, këtë verë parashikohet dyfishim i numrit të turistëve. Është hequr tarifa për automjetet që hyjnë në plazh, ndërsa janë ulur edhe taksat për bizneset.
“Këtë vit do të operojnë 15 biznese me struktura provizore përgjatë bregdetit Adriatik, ndërsa infrastruktura po përmirësohet ndjeshëm.”
Përtej plazhit, Divjaka ofron një përvojë të pasur natyrore falë Parkut Kombëtar, pyllit me pisha dhe mundësisë për ecje në natyrë gjatë gjithë vitit.