TECH

Çfarë do të hanin alienët nëse do të zbrisnin nesër në Tokë?

Me daljen e filmit të ri të Steven Spielberg, Disclosure Day, rikthehet një pyetje e vjetër e fantashkencës: nëse alienët do të vinin në Tokë, a do ta pushtonin njerëzimin, do të na studionin apo thjesht do të kërkonin ushqim?

Në të vërtetë, nuk ka asnjë provë shkencore që qeniet jashtëtokësore kanë vizituar ndonjëherë Tokën. NASA dhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kanë deklaruar se nuk ekzistojnë prova të besueshme që fenomenet ajrore të paidentifikuara janë teknologji aliene.

Megjithatë, biologjia na lejon të bëjmë hamendësime të arsyeshme. Edhe njerëzit që jetojnë për muaj të tërë në hapësirë, astronautët, ndryshojnë mënyrën e të ushqyerit. Në mungesë graviteti ndryshojnë oreksi, shija, masa muskulore, shëndeti i kockave, hidratimi dhe shpenzimi i energjisë. Kjo tregon se largimi nga Toka kërkon përshtatje të dietës dhe metabolizmit.

Shkencëtarët mund të vlerësojnë nevojat energjetike të një organizmi bazuar në peshën dhe mënyrën e jetesës. Sa më i madh të jetë organizmi, aq më shumë energji i nevojitet, edhe pse çdo kilogram i trupit konsumon relativisht më pak energji.

Nëse një alien do të ishte i ngjashëm me një gjitar ose zog me gjak të ngrohtë, një individ 30 kg do të kishte nevojë për rreth 900 kalori në ditë vetëm për të mbajtur funksionet jetësore. Një alien 70 kg do të kishte nevojë për rreth 1700 kalori, ndërsa një krijesë 150 kg mbi 3000 kalori në ditë, pa përfshirë aktivitetin fizik.

Fantashkenca paraqet shumë lloje alienësh. “Njeriu i vogël gri”, me trup të hollë dhe kokë të madhe, ndoshta do të kishte nevojë për 800–1100 kalori në ditë. Por nëse do të kishte tru shumë të zhvilluar, do t’i nevojitej edhe më shumë energji, pasi truri i njeriut konsumon rreth 20% të energjisë së trupit në pushim.

Alienët “zvarranikë” do të kishin nevoja të ndryshme. Nëse do të ishin me gjak të ftohtë, si zvarranikët në Tokë, do të konsumonin më pak energji. Por nëse do të ishin grabitqarë inteligjentë dhe aktivë, nevojat e tyre kalorike mund të ishin të ngjashme ose edhe më të larta se ato të njerëzve.

Një tjetër mundësi do të ishin qeniet artificiale ose robotike. Në këtë rast, “ushqimi” nuk do të ishte proteina apo yndyra, por energjia elektrike, nxehtësia ose lëndë të tjera energjetike. Një robot alien nuk do të hante oriz apo makarona; thjesht do të rikarikonte bateritë.

Edhe nëse alienët do të kishin biologji të ngjashme me tonën, ushqimet e Tokës nuk do të ishin domosdoshmërisht të ngrënshme për ta. Proteinat, sheqernat apo bakteret tona mund të mos përputheshin me sistemin e tyre tretës. Madje mikroorganizmat tokësorë mund të rezultonin vdekjeprurës për ta. Pikërisht këtë ide trajtoi H.G. Wells në romanin Lufta e Botëve, ku marsianët mposhten jo nga armët njerëzore, por nga mikrobet e Tokës.

Image

Astrobiologët besojnë se jeta ka nevojë për një burim energjie, një lëng dhe elementë kimikë të përshtatshëm. Por kjo nuk do të thotë se të gjitha format e jetës ushqehen njësoj. Në Tokë, për shembull, koala ushqehet pothuajse vetëm me gjethe eukalipti, ndërsa lopët varen nga bakteret e zorrëve për të tretur barin.

Nëse alienët do të vizitonin Tokën, ata mund të mos kërkonin ushqimin tonë, por ujë, minerale, kripëra, fosfor, hekur ose molekula të thjeshta organike. Madje rrëmbimi i bagëtive, aq i përhapur në legjendat për UFO-t, mund të interpretohej si një mënyrë për të studiuar burimet ushqimore.

Në fund, ushqyerja nuk ka të bëjë vetëm me kaloritë. Ajo lidhet me biologjinë, mjedisin dhe evolucionin. Nëse njerëzimi do të takohej ndonjëherë me qenie jashtë tokësore, përveç diplomatëve dhe inxhinierëve, do të nevojiteshin edhe specialistë të ushqimit që të kuptonin se çfarë mund të hanin, çfarë i helmonte dhe si mund të bashkëjetonin me ekosistemet e Tokës. E ndoshta, nëse alienët do të vinin një ditë, do të zbulonin edhe një të vërtetë njerëzore: të ngrënit nuk është vetëm mënyrë për të marrë energji, por edhe për të kaluar kohë së bashku. / The Independent 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button