AKTUALITET
Çfarë nuk u pa në protestë dhe cilat janë disa të vërteta për të pavërtetat që qarkullojnë

Nga Fatjon Gjinaj
Nëse protesta bie, mbase Shqipëria fiton, por ama Rama nuk shkon në Surrel
Duke qenë se mbi protestën në Tiranë faktet janë sjellë nga elita politike si thashetheme, duke e çuar në Greqi, Izrael e deri në Moskë, po përpiqem të paraqes disa fakte:
- Shumica dërrmuese e pjesmarrësve janë të rinj, mjafton të dëgjosh thirrjet më të shumta që hedhin “UÇK”, “Shqipëri Etnike”, “Shqipëria e shqiptarëve vdekje tradhëtarëve”, “Shqipri-Shqipri-Shqipri”… për të kuptuar se janë thirrje më tepër euforie dhe emocionale, se sa strategjie. Karikohen nga lodhja, nënvlerësimi, mashtrimi i gjatë për tranzicion nga e njëjta klasë.
- Që nuk ka masa policore është mashtrim, sot kanë qenë mbi 440 trupa të policisë nën uniformë, disa mjete ujëhedhëse dhe forca të gatshme me pajisje të rënda përfshirë edhe gazin e famshëm lotsjellës. Prezent gjithë kohës kanë qenë drejtori dhe zv.drejtori i Tiranës, në pozicion të dukshme krahë jo më shumë se 15 efektivëve shumica femra (ndoshta për të dhënë mesazh se do sillemi si të silleni).
- Në terren kanë qenë të angazhuar mbi 20 agjentë të Antiterrorit me drejtorin e strukturës në krye dhe një numër i konsiderueshëm i trupës së Shërbimit Informativ
- Në tarracat e godinave të Kuvendit dhe Kryeministrisë kanë qenë të paktën 10 punonjës të sigurisë dhe Gardës me pajisjet përkatëse monitoruese dhe reaguese (fakti që nuk u dukën, konfirmon shërbim zyrtar policie, është për të mos krijuar perceptime tek qytetarët që mund të merreshin si intimiduese. Fakti që ishin në pozicione përkatëse ka të bëjë me obligim ligjor)
- Shumica e personave që kam kontaktuar privatisht dhe që merrnin pjesë në tubim (mbi 20), më thonë se kanë parë njoftimet në rrjetet sociale dhe reagimet e forta edhe kundër shumicës së medias që nuk e pasqyrojnë situatën (ka prej tyre nga shoqata e parti politike që si gjithnjë propagandojnë se dalin për të mbrojtur Atdheun por me gjithë respektin janë të pabesueshëm).
- Tubimi ka më shumë se duhet folës të pa zot dhe organizim të dobët (kjo mund të përshkruhet vetëm me faktin se erdhën tek kryeministria dhe harruan foninë tek Ministria e Brendshme duke e sjell pas një ore)
- Po, ka patur sinjalizime për ndikime të mundshme të jashtme, informacione që mbahen të rezervuara për shkak të protokolleve të rrepta që i takojnë sigurisë kombëtare, por asnjë e dhënë zyrtare e regjistruar për të krijuar alert
- Ka patur instruktazh të përsëritur për shërbimet në terren që duhet kujdes i jashtëzakonshëm për dy arsye, moshat shumë të reja pjesmarrëse që konsiderohen më të mundshme për eskalim në rast se ndeshin në një veprim apo mosveprim jo korrekt të shërbimeve policore dhe së dyti, pjesmarrja në tubim edhe e grupimeve të ndryshme si politike, civile, tifogrupeve… ku mund të kishte apo ketë episode mes tyre
- Spontaniteti “po, ky është meraku më i madh”, thotë një kontakt shumë i besueshëm në funksion drejtues në shërbim, teksa më pëlqen ta përmend faktin se ishte i emocionuar kur shikonte që turmat dëgjoheshin shumë larg nga vendi ku flisnim
- Dhe në fund, protesta s’kishte asnjë incident qoftë edhe më të voglin dhe ishte një nga protestat më të bukura që janë mbajtur në këtë vend
Dy fjalë nga unë:
- Të paktën hë për hë shërbimet ruse e greke nuk e destabilizuan Shqipërinë
- Qeveria të mos bëjë viktimën, por të bëjë transparencë, ndryshe e lus këtë rini, të mos ndalet derisa të shporret
- Për deklaratat e kryeministrit mbi antena armiqësore, të paraqesë fakte ose të kërkojë ndjesë (ishte një nga arsyet që shtoi masivitetin)
- Populli është ngritur dhe do i sugjeroja opozitës, ta lërë këtë frymë të rrjedhë lirshëm nëse vërtetë kërkon të dëshmojë se nuk është e përfshirë, fundja atë, opozitën, askush nuk do ta fajësonte për asgjë, madje dështimin e mundshëm të Ramës për t’iu përgjigjur qytetarëve mund ta përdorë për ofrimin e një alternative.
- Dhe në fund që është më e rëndësishmja, nëse kjo protestë bie, mbase Shqipëria fiton, Rama nuk shkon as në Surrel as në burg. Natyrisht asnjë fqinj nuk do donte që fqinji të ndërtonte në sektorin e një prej industrive më të fuqishme ekonomike, 4 miliard euro, por duhet të marrë fund njëherë e mirë shembulli që shteti jam unë, bëj çfarë të dua unë (shembulli konkret i dështimit është Marina e Durrësit që ka nisur të fundoset para se të ngrihet, teksa është një nga projektet më propagandistike që u sfumua dhe doli në sipërfaqe krimi i mirëfilltë shtetëror që qofsha gabim, duhen 100 vite të rikuperohet)
Jam me protestuesit, protestë që secili e bën për bindjen dhe interesin e vetë, por bindjen dhe interesin tim po e bëj publik, protestoj kundër modelit qeverisës dhe oligarkisë shtetërore që ia ka hipur gjithçkaje dhe konsiderohen të paprekshëm.
Po e mbyll me një përshëndetje pa lidhje me sa më sipër, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, natën e mirë









