“700 euro për një leje 5-ditore “/ Arrestohet shefi i regjimit në burgun e Lushnjës

Në redaksinë e emisionit “Stop” në Tv Klan kanë mbërritur disa denoncime për pazaret që bëhen nëpër burgje duke u shitur disa ditë leje të burgosurve me shuma të majme. “Stop” inskenon një rast në burgun e Fushë-Kosovës në Lushnje, ku kërkon takim me shef Matin. Ky i fundit u tregua “i mirëkuptueshëm” dhe la menjëherë një takim në një lokal.
Qytetari: Si je?
Polici: Faleminderit!
Qytetari: Është Mati aty?
Polici: Jo, është brenda.
Qytetari: Kur del? E thërret dot? E lajmëron dot?
Polici: Është në burg. Brenda në burg edhe drejtori nuk e thërret dot, jo unë.
Qytetari: E marr vesh. Po kur del?
Polici: Po tani mbaro punë, del ai. Kur të dalë atje, të them unë.
Qytetari: Si kalove?
Mati: Kush?
Qytetari: Unë! Unë! Ke mundësi të pimë ndonjë kafe? Ndonjë kështu?
Mati: Po s’kam… Lëre atë punë… Se s’kam kohë të merrem…
Qytetari: Po të bisedonim veç.
Mati: Për kë je ti?
Qytetari: Kam një njeriun tim aty brenda.
Mati: Hë, hë. Po mirë mo, se… Ça bën?
Qytetari: Të të pres…
Mati: Jeni bashkë juve?
Qytetari: Jo, unë jam vetëm.
Mati: Ik lart, se do vij lart!
Qytetari: Ok! Ku është kjo kafja këtu?
Mati: Ja kafja e parë që ikën lart, aty e ke.
Qytetari: Ok!
Mati: Një me çati e vogël.
Qytetari: Ok! Po të pres aty.
Kur iu kërkua disa leje për një person që kishte rënë në burg për hashash, Mati shumë i gatshëm, mori 700 euro dhe premtoi 5-7 ditë leje për personin në fjalë.
Mati: Ja, ulu aty!
Qytetari: Po ulem këtu edhe…
Mati: Ulu atje! Ku të doni!
Qytetari: Si je?
Mati: Mirë! Ça bën ti? Si kalove?
Qytetari: Unë s’të kam takuar ndonjëherë. Nuk të njihja.
Mati: Hë, s’ka gjë.
Qytetari: Me të pyetur kështu…
Mati: Mos e vrit mendjen!
Qytetari: Kam Gj. B.!
Mati: Ouuu..!
Qytetari: Edhe…
Mati: E mora vesh.
Qytetari: Ka rënë brenda për hashash.
Mati: Po Gj., i thashë unë dy javë para po s’më kuptoi, tani e mori vesh, rrinte me një T., në dhomë, e futa unë.
Qytetari: Për t’i siguruar 7 ditë leje.
Mati: 5 a 7, s’e di sa u japin tani, po u japin leje tani.
Qytetari: Në qoftë se na e rregullon…
Mati: Bëhet nami me radhë. Bëhet nami. Bëhet nami.
Qytetari: Na e rregullon dot?
Mati: Për leje. Unë di që nis me leje, po di dhe këtë tjetrën, që varet nga… Ne bëjmë, nesër i çojmë zakonisht, i çojmë të mërkurave. I aplikojmë, i çojmë lart. Dje i kam thënë drejtorit për një M.G. Erdhi qëparë e ëma, më takoi dhe do i bëhet letra nesër. Edhe unë u futa brenda, prisja të vinte G., të më thoshte ndonjë gjë, s’e pashë, iku, s’më foli edhe iku.
Qytetari: Unë kam ca lekë me vete. Domethënë, sa të të jap?
Mati: O vëlla! Sa lekë ke me vete?
Qytetari: 700 euro!
Mati: Bjeri!
Qytetari: Numëroji! I ke…
Mati: Në rregull!
Qytetari: 700 euro! Më thuaj kur që të vij ta marr unë!
Mati: Ai mund të… Ose do të dalë të… Ai mund të dalë ose të enjten pasdite, ose të premten paradite.
“Stop” dorëzoi paratë dhe e ndoqi çështjen deri në momentin e shumëpritur kur i burgosuri doli për disa ditë nga qelia.
Qytetari:Në çfarë ore të të marr unë?
Mati: Po nga ora 12, që të vijë…, që të na vijë konfirmimi. Ne i nisim nesër në 12-të. Ne i nisim që në mëngjes nesër. Nesër, të mërkurën, i nisim lart, të enjten na sjellin konfirmimin, ok. Është formale, po i thotë ky (drejtori) nisi, se i kam ok, se i ndajnë bashkë ata, në shqip, ca i çon ky, (drejtori) i nisin ata, i thotë ky (drejtori) ok, ok, ata dhe ai del të enjten mbasdite, në qoftë se do vini ta merrni pasdite, ose del të hënën… Të premten paradite. Në orën 8!
Qytetari: Unë të enjten në orën 1, të të shkruaj një mesazh?
Mati: Po, shkruaj!
Qytetari: Kur të vij, vetëm kaq do të shkruaj unë.
Mati: Në qoftë se do të them edhe unë ta kujtoj, se me mesazh e kam këtu. Në rregull!
Qytetari: Shefi! Faleminderit!
Mati: Asgjë shoku! Shëndet! Mirupafshim!
Qytetari: Mirupafshim!
Pas denoncimit në emisionin Stop, Shefi i regjimit të brendshëm në Lushnje, është vënë në pranga mbrëmjen e sotme. Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Në deklaratë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me forcë çdo akt të paligjshëm dhe korruptiv që bie ndesh me etikën dhe misionin e sistemit penitenciar.
“Në lidhje me pamjet e transmetuara në emisionin investigativ ‘Stop’, ku shfaqet një punonjës i Policisë së Burgjeve duke marrë vlera monetare në këmbim të një leje shpërblyese, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, dhe nën drejtimin e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka ndërmarrë menjëherë veprimet për identifikimin dhe arrestimin e tij.
Punonjësi i identifikuar është komisar H. L, me detyrë shef i regjimit të brendshëm në IEVP Lushnjë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dënon me forcë çdo akt të paligjshëm dhe korruptiv që bie ndesh me etikën dhe misionin e sistemit penitenciar. Distancohemi qartësisht nga veprime të tilla individuale, që nuk përfaqësojnë strukturën dhe angazhimin tonë për një administratë të ndershme, transparente dhe të përgjegjshme” – thuhet në njoftim.












