David dhe Victoria Beckham, zyrtarisht ‘Sir’ dhe ‘Lady’

David Beckham ka marrë zyrtarisht titullin fisnik “Sir” nga Mbreti Charles III, duke u bërë një nga figurat më të nderuara të sportit britanik. Legjenda 50-vjeçare e futbollit u nderua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sport dhe bamirësi, në kuadër të listës së nderimeve për ditëlindjen e mbretit.
Krahas Beckhamit, tituj të lartë fisnik u dhanë edhe për aktorin fitues të Oscar-it, Gary Oldman, dhe këngëtarin legjendar të “The Who”, Roger Daltrey.
Tashmë, futbollisti do të njihet si “Sir David Beckham”, ndërsa bashkëshortja e tij, stilistja dhe artistja Victoria Beckham, do të mbajë titullin “Lady Victoria Beckham”.
Në një reagim emocional, Beckham u shpreh:
“Jam rritur në Lindje të Londrës me prindër dhe gjyshër shumë patriotë dhe krenarë që ishin britanikë. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se do të merrja një nderim kaq të madh.”
Ai shtoi se për të, të luante dhe të ishte kapiten i kombëtares angleze ishte “privilegji më i madh i karrierës”. Beckham theksoi edhe rëndësinë e punës së tij jashtë fushës, si ambasador i UNICEF-it që nga viti 2005, dhe më së fundi si ambasador i Fondacionit të Mbretit që prej vitit 2024.
“Jam me fat që kam mundësinë të ndihmoj komunitetet në nevojë dhe të frymëzoj brezin e ri. Ky nderim është një moment shumë emocional për mua dhe familjen time.”
David Beckham, i cili ka fituar tituj kampion në katër shtete të ndryshme dhe ka bërë 115 paraqitje me Anglinë (59 si kapiten), mbetet një figurë ikonike për breza të tërë dhe tani edhe zotëri i kurorës britanike.