Arrestohet administratori i Inceneratorit të Fierit, sillet me pranga në Rinas

Arrestohet në shtetin Zimbabve në Afrikën Jugore administratori i Inceneratorit të Fierit Loran Dusha.
42 vjeçari ishte administrator i “Integrated Technology Waste Treatment Fier” dhe Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Më 25 shtator 2023 Gjykata e Posaçme (GJKKO) dënoi ish ministrin Lefter Koka, Alqi Bllakon dhe 13 të pandehurit e tjerë, mes tyre Loran Dushën për aferën e inceneratorit të Fierit.
Për Dushën, GJKK dha 7 vite burg, por me gjykim të shkurtuar u konvertua në 4 vite e 8 muaj. Ai u shpall fajtor për akuzën “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Për kujtesë në 2022, Loran Dusha, ‘humbi memorian’ kur u pyet në Komisionin Hetimor të Kuvendit dhe pretendoi se nuk mbante mend një pjesë të mirë të transaksioneve me vlerë miliona euro.
Njoftimi
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Harare, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ekstradimi nga Zimbabve, shtet në Afrikën Jugore, i shtetasit shqiptar L. D., 42 vjeç, lindur në Lushnjë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi L. D., në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera.
Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.