AKTUALITETKRYESORE

Departamenti i Shtetit: Sali Berisha mund të vijë në SHBA

Gazetari amerikan Marc Caputo që punon për agjencinë “Axios” i ka bërë një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara.

Në një koment në rrjetin “X” ai thotë: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.

Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin.

Caputo ka shpërndarë edhe një shkrim të gazetës “Wall Street Journal” ku ka dhënë një intervistë drejtuesi i fushatës së PD-së, Chris LaCivita.

Ish-kryeministri Berisha dhe anëtarët e familjes së tij u shpallën “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit në 19 maj të vitit 2021. Lajmi u bë i ditur nga sekretari i Shtetit i asaj kohe, Antony Blinken.

Sipas tij, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike. Vetë Berisha nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat dhe madje ngriti edhe një padi ndaj Blinken në një gjykatë të Parisit. Për këtë vendim, Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe miliarderin George Soros.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button