Nga Redjon Shtylla, rubrika ”Trroç me Redin”
Koha e shqiptarëve refugjatë ka ndryshuar, edhe pse media me politika anti-shqiptare ushqejnë me dizinformim të keq. ”Refugjatët” sot kanë histori frymëzuese dhe shërbejnë si një model suksesi. Në ”Trroç me Redin” flet nga Franca Armand Hasanpapaj, një i ri i cili sapo është zhvendosur në Marsejë. Ai është një fenomen atje si master-chef, si nga fama në rrjete sociale, por edhe për Shqipërinë, sepse siç e thotë trroç ‘‘ne hapim derën dhe tregojmë pjatat shqiptare”. Ai tregon sesi iku në vitin 2012 pa ditur asnjë fjalë të gjuhës franceze, dhe sot ai është një nga figurat më të njohura të guzhinës, sepse krijon receta unike, sidomos ato shqiptare bashkë me nënën e tij.
”Është shumë e vërtetë, ne gjatë këtyre video-ve tregojmë recetat me mamin dhe hapim derën ku tregojmë pjatat shqiptare dhe ju themi njerëzve ”Bujrum” mirë se vini dhe kjo është guzhina shqiptare që është aq e mirë dhe gjeneroze, që ka për të gjithë. Ne jemi shumë të lumtur që të tregojmë vlerat e vendit tonë nëpërmjet recetave, nëpërmjet guzhinës sonë shqiptare”, tregon Armandi që sot është baba i dy fëmijëve, dhe pas 12 viteve në Lion, është zhvendosur në një qytet tjetër të Francës, për një vizion dhe mision të ri.
Historia e Armandit është një nga ato që të bën krenar, të mbush shpirtin, dhe që sot ai është kthyer edhe në një influencer i fortë, një amabsador i turizimit-kulturës që francezët të njihen me Shqipërinë dhe të magjepsur nga ajo që Armandi krijon me duar, ata vizitojnë vendin tonë. ”Francezët janë sa më shumë kuriozë për shqiptarët dhe guzhinën shqiptare dhe kanë dëshirë që të vizitojnë vendin tonë sa më shumë, sepse kanë mësuar diçka nga videot tona, nga ne, nga libri jonë dhe kjo është fitore për ne”.
Intervista e plotë
Ke treguar se po nis një kapitull të ri pas 12 viteve në Lyon, por në këto vite si je rritur në profesion, pasi nuk kanë qenë vite të lehta?
Shumë e vërtetë, nuk kanë qenë aspak vite të lehta. E kemi lënë Shqipërinë në vitin 2012, dhe nuk flisnim asnjë fjalë të gjuhës franceze. Fillimet tona nuk kanë qenë të mira sepse të gjithë të shikonin ndryshe, si një i huaj, dhe na është dashur shumë mund dhe punë që të fillonim që të bëheshim dikushi edhe pse me shumë vështirësi.
Libri që ke publikuar për çfarë shërben, çfarë recetash ka aty?
Aty faktikisht flitet për Shqipërinë dhe recetat që bëj me mamin janë shqiptare siç është: flija, trileçja, ballokume, byrekë të ndryshëm. Kështu unë dhe mami tregojnë Shqipërinë, por ka edhe receta të tjera të Tik-Tok-ut që ne na kanë bërë të njihemi në rrjete sociale.
Në Instagram poston receta shqiptare bashkë me nënën, është një mënyrë për të treguar Shqipërinë në Francë dhe tek njerëzit që të ndjekin, dhe çfarë impakti ke marrë?
Është shumë e vërtetë, ne gjatë këtyre video-ve tregojmë recetat me mamin dhe hapim derën ku tregojmë pjatat shqiptare dhe ju themi njerëzve ”Bujrum” mirë se vini dhe kjo është guzhina shqiptare që është aq e mirë dhe gjeneroze, që ka për të gjithë. Këto tavat që kemi ne, këto tepsi, dhe njerëzit i kanë pëlqyer shumë këto video dhe kanë shkuar plot e plot për të viztuar Shqipërinë. Ne jemi shumë të lumtur që të tregojmë vlerat e vendit tonë nëpërmjet recetave, nëpërmjet guzhinës sonë shqiptare.
Si një refugjat, çfarë ka ndryshuar tani në Francë? Ti si ke kontribuar për komunitetin shqiptar? Janë bërë francezët më kuriozë për Shqipërinë?
Sigurisht, me gjithë këto që kanë ndodhur, me librin që kemi botuar, me festivalin ushqimor për refugjatët që e bëjmë çdo vit, dhe tashmë me recetat që bëjmë në rrjetet sociale sigurisht që shikimi për Shqipërinë ka ndryshuar. Francezët janë sa më shumë kuriozë për shqiptarët dhe guzhinën shqiptare dhe kanë dëshirë që të vizitojnë vendin tonë sa më shumë, sepse kanë mësuar diçka nga videot tona, nga ne, nga libri jonë dhe kjo është fitore për ne.
Në Shqipëri ka një pjesë të rinisë që rri në kafene, dhe me aq sa ke parë, çfarë do ti këshilloje, nisur edhe nga jeta jote? Po rininë shqiptare në Francë, si i ke parë?
Në Shqipëri nuk e di faktikisht, kam dëgjuar sigurisht, por atje mundësitë më ndryshe, nuk mund ti paragjykojmë rininë, sepse edhe unë kam qenë 16-vjeç dhe ashtu kam bërë, kam qëndruar në kafe, sepse kështu janë kushtet në Shqipëri. Është një situatë e komplikuar kjo e rinisë. Ata që kanë mundësi që të punojnë, që të ndjekin një profesion, sepse nuk është e thënë që të gjithë të ndjekin shkollat e larta, por të ndjekin zanatin. Atë që e bëjnë, e bëjnë me shumë pasion dhe me vullnet, kjo e gjitha një ditë po paguhet. Kurse rinia shqiptare në Francë, aty ku janë, vërtetë kanë dhënë një shembull shumë të mirë. Është një rini motivuese, është një rini që ka plot vullnet dhe besoj që do të eci para.