Arben Çuko mes banorëve të Shën e Premtes në Divjakë – një ndalesë në familjen e Petro Çakos

Lushnje – Arben Çuko mes banorëve të Shën e Premtes në Divjakë – një ndalesë e veçantë në familjen e Petro Çakos
Në kuadër të takimeve elektorale me qytetarët e Qarkut Fier, kandidati për deputet nga Aleanca për Shqipërinë Moderne (ASHM), Arben Çuko, zhvilloi një vizitë në fshatin Shën e Premte të njësisë administrative Divjakë. Në këtë takim të ngrohtë dhe miqësor, Çuko u mirëprit nga banorët, me të cilët ndau shqetësimet, nevojat dhe aspiratat për një të ardhme më të mirë në zonë.
Kandidati theksoi disa prej prioriteteve kyçe të programit të tij: më shumë siguri për qytetarët, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave për familjet shqiptare dhe uljen e barrës fiskale për të gjithë.
“Më shumë siguri. Më shumë punë. Më shumë të ardhura. Më pak taksa. Ky është zotimi ynë për të ndërtuar një shtet që punon për qytetarin dhe jo anasjelltas”, u shpreh ai përpara banorëve të mbledhur.
Një ndalesë të veçantë gjatë këtij takimi Çuko e bëri në familjen e Petro Çakos, një shtëpi simbol i mikpritjes myzeqare dhe përkushtimit qytetar. Në këtë vizitë, Çuko theksoi rëndësinë e përfaqësimit të denjë në Kuvend dhe nevojën për një zë të fuqishëm që ngre problematikat e zonave rurale.
“Më jepni votën sepse do jem zëri i myzeqarëve në Parlament. Mbështetja juaj është thelbësore për të kthyer në realitet pikat e programit të ASHM. Unë nuk premtoj gjëra të pamundura, por angazhohem që fjala ime të bëhet vepër, e bashkë të sjellim ndryshimin që meritoni,” u shpreh Çuko nga oborri i familjes Çako.
Takimi u mbyll me duartrokitje dhe biseda të përzemërta, ndërsa banorët shprehën vlerësimin për praninë e kandidatit dhe angazhimin e tij për të qenë afër njerëzve në çdo hap.