Thursday, June 20, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIDrafti/ Taksa e pronës, sa do të paguhet për shtëpi, truall dhe...

Drafti/ Taksa e pronës, sa do të paguhet për shtëpi, truall dhe biznese

Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” i prezantuar në muajin gusht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë pritet të rrisë detyrimin e taksës së ndërtesës tek apartamentet 18 deri 50% dhe te dyqanet deri 25%, sipas shembujve të MFE për llogaritjen e taksës së re.

Drafti është ende në fazë konsultimesh. Për grupet e interesit dhe pushtetin vendor, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpërndarë dokumentin “Reforma e Taksës së Pasurisë 2024- 2028” ku paraqiten shembujt për llogaritjen e taksës për secilën kategori, duke përfshirë, ndërtesat e banimit, për qëllime biznesi, si dhe për truallin, tokën bujqësore dhe pyjore.

Drafti i ri parashikohet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026 për ndërtesat, ndërsa për kategoritë që përfshin parcela, tokë bujqësore dhe truall nga 1 janari 2028. Projektligji i ri jo vetëm rrit nivelin e taksës, por ndryshon edhe metodologjinë për llogaritjen e çmimeve mesatare për të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme, ky synohet t’u afrohen vlerës së tregut. Drafti propozon që niveli i taksës për ndërtesat e kategorisë rezidenciale të variojë nga 0,1% deri në 0,2% nga 0,05% që është aktualisht, për ndërtesat tregtare nga 0,15 deri në 0,25% nga 0,2% që është dhe për ndërtesat bujqësore dhe industriale niveli i taksës varion nga 0,15 deri 0,25%.

Taksa për të gjitha kategoritë e pasurive të paluajtshme do të llogaritet mbi vlerën e re të pronës. Vlera do të përcaktohet në një hartë te re me çmime mesatare referuese, por e ndarë për njësitë e ndërtesave rezidenciale, të shërbimit, si dhe çmimet mesatare referuese të parcelave, duke përfshirë të truallit, tokës bujqësore dhe asaj pyjore.

Sipas dokumentit për Reformën e Taksës, për parcelat do të jetë Agjencia Shtetërore e Kadastrës që do të përgatisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, zonat e vlerave dhe çmimet referuese. Ndërsa, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë do të përcaktojë, zonat e vlerave dhe çmimet referuese për njësitë e ndërtesave, si dhe vlerat e vlerësuara të pasurive të paluajtshme.

TAKSA PER SHTEPITE

Sipas shembujve të Ministrisë së Financave, detyrimi i taksës për apartamentet do të rritet nga 18 deri 50%. Taksa e ndërtesës për shtëpitë, aktualisht është 0,05% e vlerës së shtëpisë. Vlera e apartamentit përcaktohet nëpërmjet çmimeve fiskale referuese që janë në fuqi. Me draftin e ri, taksa për ndërtesat rezidenciale propozohet të variojë nga 0,1% deri në 0,2%. Drafti propozon zbritje 50% të vlerës së vlerësuar të banesës së parë, por në çdo rast, jo më shumë se pragu maksimal i zbritjes i ndarë për 4 kategori bashkish (kategoritë janë përcaktuar në shtojcën 1 të këtij draftit) apo pragu maksimal i vendosur nga Këshilli Bashkiak.

Referuar shembujve të Ministrisë së Financave për një apartament me sipërfaqe 72 m2 në Tiranë me çmim mesatar referues prej 100,000 lekë/m2 vlera e shtëpisë është 7,200,000 lekë. Aktualisht, detyrimi vjetor për këtë apartament është 3,600 lekë. Me formulën e re, pasi i zbritet 50% e vlerës së shtëpisë, e llogaritur me shkallën e taksës 0,12% për vlerën e mbetur prej 3,600,000 lekë detyrimi do të jetë 4,320 lekë në vit. Rritja është 18%.

Ndërsa për një apartament me sipërfaqe me 100 m2 në Tiranë me çmim referencë mesatar të supozuar 150,000 për metër katror me ligjin e ri detyrimi për taksën do të jetë 12,600 lekë në vit nga 7,500 lekë që paguan aktualisht. Rritja 50%. Për një apartament në Vlorë me sipërfaqe 110 metra katror me çmim referencë 90,000 lekë për metër katror, duke i zbritur nga vlera 3,000,000 lekë (Bashkia e Vlorës përfshihet në kategorinë e dytë, ku zbritja e vlerës së shtëpisë së pa taksueshme është deri në pragun e 3,000,000 lekëve) do të paguhet 8,280 lekë taksë në vit nga 4,950 lekë që paguhet aktualisht. Rritja do të jetë 50%.

Me formulën e re rritje të taksës së ndërtesës për shtëpitë do të ketë edhe për Bashkinë Memaliaj nga 18 deri 49% sipas shembujve të paraqitur në dokumentin e Ministrisë së Financave.

TAKSA PER DYQANET

Detyrimet për taksën vjetore të ndërtesave nga 2026 do të rriten edhe për pronarët e dyqaneve. Aktualisht formula e llogaritjes së vlerës së taksës së ndërtesës ku zhvillohet aktiviteti ekonomik, parashikon që taksa është 0,2% e vlerës së dyqanit, ndërsa vlera e dyqanit në Tiranë llogaritet sa dyfishi i çmimit fiskal për metër katror të apartamenteve.

Shkalla e taksës së ndërtesës për dyqanet nga 2026 parashikohet të jetë nga 0,15% deri 0,25%. Vlera referuese të çmimeve mesatare për dyqanet do të jenë të reja të përcaktuara në hartën e vlerës së re të pronave.

Në tabelën me shembujt e paraqitur nga Ministria e Financave pronari i një dyqani në Tiranë me sipërfaqe 50% nga 30,000 lekë taksë në vit që paguan aktualisht, pas miratimit të ligjit të ri do të paguajë 37,500 lekë në vit (e llogaritur me shkallën e taksës 0,25%). Rritja është 7,500 lekë në vit apo 25%. Për një biznes në Vlorë detyrimet rriten 3,750 lekë në vit dhe për një dyqan në Fier 2,500 lekë në vit.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME