Thursday, April 25, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËDY RREZIQE TË REVOLUCIONIT OPOZITAR

DY RREZIQE TË REVOLUCIONIT OPOZITAR

Nga Blendi Kajsiu – Me fillimin e revolucionit opozitar është e rëndësishme të identifikohen dy rreziqe që i kanosen sikurse çdo revolucioni tjetër që ka ndodhur më parë në Shqipëri dhe përtej. Së pari, revolucioni i opozitës, sikurse shumica e revolucioneve, mund ta mbyll në vend që ta hapë opozitën sepse preferon rreshtimin ushtarak dhe jo diskutmin dhe debatin e hapur. Së dyti, revolucioni favorizon denoncimin e dhunshëm përballë kritikës racionale nga ku buron aternativa qeverisëse. 

Mentaliteti revolucionar që ka shpallur opozita me në krye berishizmin bazohet tek rreshtimi pas liderit revolucionar në funksion të qëllimit suprem që është rrëzimi i të keqes madhore Edvin Kristaq Rama. Sipas kësaj llogjike, sa revolucionare aq edhe ushtarake, skena politike ndahet në dy kampe politike armiqësore, revolucionarët dhe reaksionarët.  Të parët janë të gjitha ata që rreshtohen pas liderit revolucionar për të rrëzuar regjimin aktual, të dytët janë të gjitha ata që devijojnë nga narrativa revolucionare.

Këta të fundit në rastin më të keq janë vegla që bëjnë avokatinë e regjimit Rama dhe në rastin më të mirë i shërbejnë këtij regjimi pa vetëdije me spekulimet e tyre pseudo-intelektuale. Me fjalë të tjera, edhe ata që e kritikojnë Ramën, por jo nga perspektiva e liderit apo narrativës revolucionare janë në fakt kripto-ramistë që i shërbëjnë regjimit, edhe kur e kritikojnë atë. Kritika ndaj regjimit Rama është e vlefëshme vetëm brenda narrativës revolucionare që çertifikohet nga udhëheqësi i revolucionit dhe zgjatimet e tij.

Nëse kjo narrativë thotë se skandali i McGonigal është më i madhi në historinë shqiptare ndaj Rama duhet të dorëhiqet, kjo bëhet e vetmja narrativë e pranueshme e kritikës ndaj qeverisjes Rama. Nëse dikush mendon se opozita duhet të përqendrohet në skandale më të rëndësishme se McGonigal, si Skandali i Inceneratorëve apo projekti i Dubaizimit të Durrësit që prekin shumë më tepër jetën e qytetarëve, atëherë ky mendim perceptohet si diversión anti-revolucionar që i shërben regjimit Rama.

Në këto kushte opozitarizmi vështirësisht mund të krijojë një front të gjerë për të kritikuar keq-qeverisjen aktuale. Ai rrudhet tek denoncimi i dhunshëm sa verbal aq edhe fizik i Edi Ramës që e shikon çdo mendim ndryshe si rrezik ndaj unitetit revolucionar. Madje edhe kur mendimi ndryshe kërkon të ndërtojë një kritikë alternative të qeverisjes aktuale. Është një shtrëngim rradhësh sa fizik aq edhe mendor që jo vetëm e rrudh opozitartizmin por e mbyt mendimin kritik tek denoncimi vulgar.

Dhe ky është rreziku i dytë që po shfaq revolucioni opozitar. Revolucioni promovon një opozitarizëm denoncues ku vlerësohen ato figura që më shumë e shajnë dhe degjenerojnë kryeministrin Rama, si në sallën e parlamentit edhe në studiot mediatike. Ndaj gara në gjirin e opozitës është se kush do ta shajë Ramën më fort dhe më rëndë.  Dikush i thotë zagar, një tjetër e quan kriminel, legen, pederast dhe mafioz, dikush i thotë tradhtar dhe pervers. Është një urrejtje sa e prekshme aq edhe e frikëshme sepse përqendrohet tek individi dhe jo tek modeli qeverisës.

Problemi është se denoncimi i Ramës nuk përbën kritikë të modelit aktual qeverisës dhe për pasojë nuk mund të prodhojë alternativë qeverisëse. Premtimi se do heqim qafe Ramën nuk garanton aspak eleminimin e modelit qeverisës aktual. Sidomos kur ky premtim vjen nga personazhe si Berisha apo Meta qeverisjen e të cilëve shqiptarët e njohin mjaft mirë.

Opozita me të drejtë ka denoncuar përfitimin e bizneseve pranë qeverisë Rama nëpërmjet ligjit të investitorëve strategjik. Ama problemi me këtë ligj dhe me strategjinë e turizmit elitar të qeverisjes Rama nuk është thjesht korrupsioni. Këto ligje janë problematike edhe nëse zbatohen me zero korrupsion. Prandaj denoncimi i tyre nuk është i mjaftueshëm.

Strategjia e turizmit elitar favorizon investitorët e mëdhenj dhe të pasur përballë komuniteteve lokale, edhe nëse bëhet pa pikën e korrupsionit. Është një strategji që fitimin nga turizmin e përqendron tek aktorët e fuqishëm ekonomik ndërkohë që komunitetet në zonat turistike i redukton në të punësuar tek bizneset e oligarkëve në vend që ti transformojë në pronarë të turizmit lokal.

Në vend që plazhin ti’a japë në menaxhim komuniteteve lokale që jetonë aty prej shekujsh strategjia e shtetit tonë është ti dhurojë zonat më të bukura të bregdetit aytre që janë më të pasur. Është një llogjikë perverse që thotë se nëse ti ke 10 milion euro unë të jap 10 mijë metra bregdet, por nëse nuk ke para duhet të pagush tek milioneri që është pronar i bregdetit.

Një kritikë racionale e strategjisë së turizmit elitar që e ka shumë përzemër qeveria Rama, me portet e jahteve dhe hotelet luksoze që nuk paguajnë taksa, nënkupton një politikë alternative që është turizmi komunitar. Në këtë të fundit vizioni për turizmin vendor nuk bazohet tek investimet që vijnë nga oligarkët por tek fuqizmi i komuniteteve turistike në mënyrë që ato të përfitojnë nga perlat e rivierës sonë.

E thënë më shkoqur. Në vend që shteti tu dhurojë bregdet investitorëve strategjik ai krijon me legjislacion komunitete lokale strategjike, fshatra që menaxhojnë pasuritë natyrore, dhe që transformohen në destionacione turistike.  Këto fundit jo vetëm e çojnë fitimin tek komuniteti, por janë edhe më terheqëse se rezortet turistike luksoze por të mbyllura si kampe përqëndrimi.

Në të njëtën mënyrë opozita ka kohë që denoncon korrupsionin e kullave ku lahen paratë e drogës apo ngrihen kate shtesë pa leje. Ama problem i kullave në qendër të Tiranës nuk është thjesht pastrimi i parave, dhe aq më pak është një problem estetik. Shumë nga këto janë mjaft të bukura, por është një bukuri që vret si xhepin edhe nivelin e jetesës së qytetarëve. Kullat jo vetëm janë një mollë e ndaluar për qytetarët e thjeshtë, por çmimet e tyre stratosferike në qendër (sepse shërbejnë për investim më shumë sesa për banim) rrisin artificialisht çmimin e metrit katror edhe në zonat e tjera të qytetit. Rritja e çmimit në qendër ndikon tek rritja e çmimit si në unazën e vogël edhe në atë të madhe.

Pasoja është që pronarët aktual dhe brezi i vjetër që ka apartamente përfiton nga rritja e cmimit. Ndërkohë brezi i ri dhe çiftet e reja e kanë të pamundur të blejnë apartament në Tiranë edhe nëse janë të punësuar me rroga shumë të mira. Në këto kushte nuk është çudi që të rinjtë po marrin dhenë, edhe kur janë të mirë-punësuar.

Për të njëtën arësye Dubaizimi i Durrësit është një projekt problematik, jo thjesht për potencialin korruptiv, por për efektet sociale që mund të prodhojë. Dubai nuk është një model zhvillimi që duhet të ndjekim për dy arësye. Së pari, sepse është një nga qendrat globale të pastrimit të parave të pista. Së dyti, sepsë është një qytet që është ndërtuar për një pakicë të pasur në kurriz të një shumice të varfër emigrantësh (pakistanezë, indian dhe nga banglandeshi). Vetëm 10% e popullatës së Dubait është arabe.

Ndaj problemi me projektin e Dubaizimit të Durrësit nuk është thjesht korrupsioni por efektet e tij sociale. Kryeministri Rama na thotë se nga projekti do përfitojnë të gjithë qytetarët. Ama shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptar marinën e Durrësit do ta shohin nga larg, sepse nuk kanë mundësi të blejnë apartamente aty me 3000 apo 4000 euro metri katror. Shumë pak prej tyre do mund të pinë kafe tek marina ku çmimet me siguri do shumëfishohen. Edhe më pak do jenë durrsakët apo shqiptarët që do parkojnë jahtet e tyre tek marina e Ramës. Pra nuk është aspak e qartë se cilët qytetarë ka në mendje kryeministri.

E thënë ndryshe nëse Durrësi kthehet në Dubai, si do garantojë qeveria shqiptare që marina e Durrësit mos të shërbejë për pastrimin e pareve të pista, siç ndodh aktualisht në Dubai ku mafia, politikanët e korruptuar dhe krimi i organizuar pastrojnë paratë duke investuar në pasuritë e patundëshme? Nëse Durrësi kthehet në Dubai çfarë masash do marrë qeveria që qytetarët durrësak dhe shqipëtar të mos transformohen në emigrantët pakistanezë, indianë dhe bangladeshian që i shërbejnë për bukën e gojës milionerëve arab dhe pasanikëve botëror që pastrojnë paratë me godinat luksoze, sic ndodh aktualisht në Dubai? Si do garantohet që projekte të tilla nuk do të privatizojnë shëtitoren publike buzë detit, siç ka ndodhur me rërën dhe detin e plazheve? 

Efekti që ka prodhuar projekti i realizuar në Beograd nga e njëjta kompani ka qenë rritja stratosferike e çimimeve në zonën ku është bërë ndërtimi. Ndryshimi është se në Beograd qeveria i dha Alabarit një zonë urbane të rrënuar dhe periferike, ku dominonte krimi, prostitucioni dhe pisllëku. Ndaj në Beograd projekti dhe dhënia e truallit u justifikua si renovim urban. Ndërkohë në Shqipëri qeveria po dhuron nja nga zonat më strategjike, qendrore dhe të vyera të Durrësit dhe Shqipërisë.

Ndaj denoncimi i korrupsionit apo larjes së parave të pista në ndërtim është vetëm hapi i parë, dhe më i thjeshti. Thelbi i kritikës racionale është ti tregosh qytetarëve efektet perverse që kullat apo projekti si Durrësi kanë në jetën e tyre. Pa përmendur pikëpyetjet  frikëshme që ngre projekti mbi fatin e portit aktual të Durrësit dhe transferimin e tij në Porto Romano.

Detyra e opozitës nuk është thjesht të denoncojë por të edukojë dhe informojë qytetarët me qetësi mbi pasojat e modelit aktual qeverisës që nuk burojnë thjesht nga karakteri i Edi Ramës. Aq më tepër kur si pasojë e progandës së realizmit kapitalist qeveria ka prodhuar një pritshmëri të lartë tek qytetarët  durrësak e shqiptar që mezi presin transformimin e Durrësit në Dubai.

Akoma më e rëndësishme është ti tregosh qytetarëve alternativën qeverisëse apo politikat që do ndërmerren në mënyrë që zhvillimi të mos jetë vetëm për milionerët por për të gjithë qytetarët. Është e kotë të mohosh me nihilizëm zhvillimin e dukshëm që ka ndodhur në Tiranë dhe Shqipëri. Ama është e rëndësishme të tregosh që nga ky zhvillim përfitojnë kryesisht të pasurit dhe jo qytetarët e thjeshtë dhe aq më pak brezat e rinj. Për këta të fundit Tirana dhe Shqipëria po bëhen gjithnjë e më të pabanueshme.

Ndaj përpara zhvillimit varëfërues që ofron qeveria aktuale, cili është modeli i zhvillimit gjithpërfshirës që ofron opozita?  Çfarë politkash ofron opozita që çmimet e apartamenteve bosh mos të rriten artificialisht nga pastrimi i parave? Si do munden çiftet e reja dhe brezi i ri të jetojnë edhe në qendër dhe jo thjesht në periferi të Tiranës apo Durrësit?

Fatkeqësisht urgjenca e denoncimit revolucionar i ka bërë të parëndësishme pyetjet e mësipërme edhe pse prekin përditshmërinë e qytetarëve. Nën llogjikën e denoncimit kritika racionale e qeverisjes aktuale, nga ku buron edhe alternativa, kthehet në një luks të tepërt teorik.

Përpjekja ime për të formuluar një kritikë të zhvillimit varfërues që ka prodhuar qeverisja Rama u prit me skepticizëm nga revolucionarët opozitarë në një emision televiz. Disa nga opozitarët në fjalë pretendonin se argumente të tilla janë devijime nga çështjet urgjente të opozitës.  Të tjerë kritikën e modelit aktual qeverisës e konsideronin një teori kot, sepse populli do vetëm denoncimin e Ramës pasi nuk i kupton programet qeverisëse.

Dhe ky është ndoshta rreziku i tretë i revulucionit opozitar që sapo ka shpërthyer. Ideja se fajin për përjetësimin në pushtet të Ramës e ka populli shqiptar dhe jo opozita aktuale. Në fund të fundit, sikurse e tregojnë sondazhet, votat dhe protesta e vakët opozitare, populli shqiptar duket se është i paaftë për të kuptuar alternativën qeverisëse Berisha-Meta.   

*Shkruar enkas per Lapsi.al nga Blendi Kajsiu

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME