Dyshohet se u helmuan nga ushqimi në kopsht, 6 fëmijë në Korçë paraqiten në spital

Gjashtë fëmijë në Korçë janë paraqitur në spital me simptoma gastrointestinale, duke ngritur dyshime për një helmim ushqimor në një kopsht publik të qytetit.
Sipas burimeve, rastet janë shfaqur njëra pas tjetrës gjatë së njëjtës ditë. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e shqetësimeve shëndetësore. Autoritetet shëndetësore pritet të kryejnë edhe analizat përkatëse për të përcaktuar shkakun e saktë të intoksikimit. Deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse bëhet fjalë për helmim ushqimor apo për një virozë.
DVP KORÇË
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetaset:
E. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë;
M. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit ku qëndronin fëmijët që ishin paraqitur në spital.
Procedimi penal filloi pasi, gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital 6 fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale, dhe mjekja nuk ka njoftuar Policinë.
Ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.









