Eddie Murphy nderohet me çmimin e karrierës në AFI

Aktori dhe komediani i njohur Eddie Murphy është nderuar me çmimin e karrierës në galan e Institutit Amerikan të Filmit (AFI), e mbajtur në Dolby Theatre në Los Anxhelos.
Gjatë fjalimit të tij, 65-vjeçari u shpreh i emocionuar teksa shihte familjen dhe kolegët e tij të pranishëm në sallë.
“Duke parë gjithë familjen time, fëmijët e mi, bashkëshorten time të mrekullueshme dhe njerëzit me të cilët kam punuar, jam vërtet i mbushur me emocione,” tha Murphy. “Ky është një moment i veçantë. Dua të qaj kur të dal prapa skenës.”
Para se të merrte çmimin, Eddie Murphy u prit me ovacione të gjata në këmbë nga publiku. Në sallë ishin të pranishëm figura të njohura si Spike Lee, Chris Rock, Dave Chappelle, Arsenio Hall dhe të tjerë bashkëpunëtorë të tij ndër vite.
Regjisori Spike Lee, i cili i dorëzoi çmimin, e vlerësoi Murphy-n si një figurë që ka ndikuar thellësisht në kulturë dhe komedi. Ndërsa Chris Rock u shpreh shkurt: “Nuk do të ishim këtu pa ty.”
Gjatë ceremonisë u kujtuan momentet më ikonike të karrierës së Murphy-t, nga “Saturday Night Live” deri te filmat si “Beverly Hills Cop”, “Coming to America” dhe seria “Shrek”. Arsenio Hall dhe të tjerë bashkëpunëtorë kujtuan ndikimin e tij në industrinë e filmit dhe televizionit.









