Friday, February 23, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREEdi Rama shkruajti Dosjen e nderit të Sali Berishës!

Edi Rama shkruajti Dosjen e nderit të Sali Berishës!

Nga Romir Saraçi – Pas 3 ditësh tollovi politike, mediatike e juridike, askush sot nuk është në gjendje të thotë: Çfarë vodhi Sali Berisha apo Jamarbër Malltezi?! Asgjë! As SPAK nuk e thotë as nuk di ta thotë, e ndaj ka mbledhur copëza jete nga dhëndri i Sali Berishës dhe i ka përdorur ato për të goditur liderin e opozitës! 

Në parashtrimin e saj, prokurorja e SPAK sjell historinë e kthimit të pronave tek 5 familjet autoktone, me vendime gjykatash të viteve 1994-1995-1996, e deri këtu asnjë shkelje apo abuzim, por vetëm kalvarin institucional 20-vjeçar të 5 familjeve, mes tyre edhe e Jamarbër Malltezit. 

E pikërisht rimarrja e pronës ishte edhe mashtrimi me të cilin Taulant Balla bëri për 3 vite politikë, e që nuk arriti dot ta provonte, së bashku me prokurorët e katapultuar nga Elbasani në SPAK. 

Pas kësaj ngrihet fabula e re, se për privatizimin e godinave të rrënuara, e për zhvillimin e pronës u angazhua Jamarbër Malltezi, dhe u favorizua për shkak të vjehrrit kryeministër. 

Këtu është një tjetër mashtrim, kjo e konfirmuar edhe nga vetë provat e SPAK, pasi procedura u nis dhe u bitis nga qeveria ‘Nano’, e vetëm mbyllja e praktikes institucionale u krye nga qeveria pasardhëse. Edhe në ketë rast SPAK, nuk gjen prova për të ngritur akuzë, por përpëlitet të sjellë vendime e komunikime shkresore, pa arritur të ngrejë akuzë, por vetëm pështjellim informacionesh për konsum politik. 

E për të lidhur emrin e Sali Berishës me këtë praktikë i atribuohet një vendim kolegjial qeverie, për ndryshimin e metodologjisë me të cilën ish-pronarët mund të riblinin për së dyti pronën e tyre të sekuestruar nga diktatura. 

Pa marrë fare në konsideratë, politikën e qeverisë Berisha ndaj ish-pronarëve, si shtyllë e premtimeve elektorale në 2005-ën, e të marrim të mirëqenë faktin se bëri një ligj të posaçëm që të përfitojë dhëndri i tij, sërish faktet e servirura nga SPAK nuk e provojnë një gjë të tillë. Kjo pasi, ligji për të cilën akuzohet Sali Berisha se favorizoi dhëndrin, është miratuar pasi familjet ish-pronare kishin paguar 90% të vlerës së pronës, e me ligjin e ri shlyen 10% e mbetur.

 Por ja dhe përfituan 100% të shlyerjes së vlerës së pronës, kjo sipas metodologjisë së re të letrave me vlerë. Me çfarë logjike mund të përjashtohen ato 5 familje nga mijëra të tjera që përfituan pikërisht nga ky ligj? Por për të qepur këtë  arnë të radhës, SPAK ka hedhur në publik një bisedë të Këshillit të Ministrave, ku Sali Berisha flet pro ish-pronarëve me ish-ministrin Genc Ruli, e që ka ndodhur pasi procedura për të cilën akuzohet ishte mbyllur në masën 90 %.

Por qershia mbi tortë e kësaj dosje është falsifikimi i dokumenteve dhe fakteve, për të krijuar lidhje mes vendimmarrjes dhe Sali Berishës, që nuk ishte arritur deri në këtë fazë. Sali Berisha akuzohet se si drejtues i KRRTSH-së ka firmosur në favor të familjeve ish-pronare për ndryshimin e statusit të kësaj prone, ku pjesë përfitues është edhe dhëndri i tij.

Për këtë arnim amatoresk, prokuroja Enkeleda Millonai ka fshehur provat dhe dokumentet, te cilat me sa duket i kanë shpëtuar si detaje nën rreshtat e kësaj dosje. Statusi i pronës nga zonë Sportive e Kompleksit Partizani, në truall ndërtimi, është propozuar dhe firmosur nga Edi Rama, ende pa nisur as procedura e privatizimit. E në miratimin e lejes së ndërtimit, Edi Rama i propozonte KRRTSH-së, firmosjen e praktikës së tij, pasi ai objekt kishte humbur rëndësinë dhe vlerën e tij. E KRRTSH-ja, institucion kolegjial, e certifikon pas 5 muajve kërkesën e kryebashkiakut të kohës. 

E faji në këtë rast, është se KRRTSH-ja e drejtuar nga Berisha, në cilësinë e kreut të qeverisë, fajësohet se përse nuk refuzoi vendimin e Edi Ramës.

Për ta bërë sa më të përtypshme për opinionin publik, prokurorja Millonai, përfshinë një shifër prej 5 milionë eurosh, pasi dihet impakti për lekë, gjak e seks. 

Por kjo shifër është dividenti i kompanisë ndërtuese, gjatë gjithë investimit të kësaj zone, e pa lidhje me Sali Berishën. Jamarbër Malltezi, me vullnet dhe firmë të afro 60 familjeve përfituese nga prona, bëhet përfaqësuesi i tyre për investimin e pronës. 

E si çdo pronar toke në Tiranë e gjetkë, nga çdo investim merr përfitimin si pronar toke, e përkthyer kjo në lekë apo sipërfaqe ndërtimi. E duke mos pasur asnjë provë abuzimi në këtë rast, prokurorja ka bërë bilanc biznesi, dhe e akuzon Jamarbër Malltezin se e ka të ndaluar të bëj biznes nën statusin “dhëndër i Sali Berishës”. 

Jo vetëm SPAK, por deri më sot asnjë jurist, opinionbërës a daullexhi pushteti nuk ka arritur të gjej një provë se për çfarë akuzohet Sali Berisha. E në fund pyetja që ngrihet është çfarë vodhi Sali Berisha? Çfarë përfitoi nga ky krim? Duke qenë një betejë politike, Sali Berisha akuzohet nga Edi Rama për krimet që ka kryer vetë. 

Do të mjaftonte vetëm ligji për investimet strategjike, që po gllabëron mijëra metra katrorë të pronave publike, e  që me këtë praktikë Edi Rama të dënohej me 5 burgime të përjetshme! 

Por kjo dosje, nuk është një akuzë fajësimi, por pas 10 vitesh të pushtetit absolut, Edi Rama arriti të ngrinte vetëm dosjen e nderit të Sali Berishës!

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME