Supergoli i Muçit në Turqi po bën xhiron e rrjetit

Ernest Muçi po kalon një moment të shkëlqyer te skuadra turke e Trabzonspor. Futbollisti shqiptar ishte vendimtar në fitoren 2-0 ndaj Gaziantep, në javën e 10-të të Superligës turke.
Muçi dha kontributin e tij që në fundin e pjesës së parë, kur pas një goditjeje nga këndi dhe një prekjeje me kokë prej tij, Stefan Savić dërgoi topin në rrjetë, duke kaluar vendasit në avantazh në minutën 45+2.
Por momenti më i bukur erdhi në minutën e 61-të. Shqiptari mori topin jashtë zonës dhe lëshoi një goditje të fuqishme me të djathtën, duke e dërguar në rrjetë dhe duke vulosur fitoren e Trabzonspor me rezultatin 2-0.
Trabzonspor regjistroi fitoren e pestë radhazi në Superligë dhe ngjitet në kuotën e 22 pikëve, duke mbajtur vendin e tretë në renditje. Muçi u vlerësua edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes.







