Të shtëna me armë janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Tiranë. Mësohet se një efektiv i forcës “Shqiponja” është plagosur me armë teksa ishte në ndjekje të një personi të dyshimtë. Efektivi i plagosur është identifikuar si Edlir Alleshi. Për ngjarjen ka dhënë një noftim të shkurtër Ministria e Brendshme.
“Ndërsa Policia e Shtetit vijon kontrollin për personat në kërkim, një patrullë e repartit “Shqiponja” në ndjekje të një personi të dyshimtë është qëlluar nga ky person dhe për pasojë ka mbetur i plagosur punonjesi i policisë E.A. Punonjësi i Policisë është në sallën e operacionit ndërsa Policia është vënë në ndjekje të autorit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Është identifikuar personi i cili dyshohet se ka plagosur efektivin e policisë mbrëmjen e sotme.
Klered Bozhani dyshohet si autori i plagosjes së efektivit të ‘Shqiponjave’ Edlir Alleshi.
Autori e ka qëlluar efektivin, teksa ky i fundit ka qenë duke e kontrolluar.
Bozhani, rezulton të jetë rreth moshës 37 deri 42 vjeç, trup shumë i dobët, rreth 180 cm, veshur me tuta dhe bluzë gri, kapele të zezë.
Bozhani kishte disa kohë që ishte kthyer nga Italia në Shqipëri.
Po ashtu mësohet se ka qenë një telefonatë në sallën informative të policisë së Tiranë, ku denoncohej se një person rreth të 30-ve që mbante në kokë një kapele të zezë po lëvizte i armatosur në zonën e Kinostudio, ajo që ka vënë në lëvizje autoritetet.
Autori besohet se është larguar me një automjet targën e të cilit policia tashmë e ka fiksuar dhe po kërkohet.
Ende nuk dihet nëse autori është ndihmuar nga një person tjetër apo është larguar i vetëm me makinë.
Ngjarja u regjistrua në lagjen ‘Kinostudio’, në rrugën ‘Hysen Xhura’ në Tiranë.