Masonët themelojnë Lozhën e Madhe Kombëtare të Shqipërisë

Masoneria është një nga organizatat më të përfolura në botë, e rrethuar nga misteri, fshehtësia dhe teori të shumta konspiracioni. Por sipas vetë përfaqësuesve të saj, masoneria e lirë është një vëllazëri njerëzish me qëllime të përbashkëta për ta bërë botën një vend më të mirë, duke vepruar sipas rregullave të caktuara morale dhe filozofike.
Simbolet e tyre – si kompasi, kuadri, dielli dhe shenja të tjera – përfaqësojnë vlera si morali, drita, drejtësia dhe zhvillimi shpirtëror. Këto simbole janë tashmë pjesë e një kapitulli të ri për Shqipërinë, pasi masonët kanë krijuar zyrtarisht Lozhën e Madhe Kombëtare të Shqipërisë.
Krijimi i saj u bë gjatë Asamblesë së madhe vjetore të SOGLIA-s, Unionit të Lozhave të Mëdha, i themeluar në vitin 2010 në Itali.
“Unë jam një mjeshtër i madh dhe kam autoritetin më të lartë në Lozhën e Madhe. Mbaj 9 yje të artë. Ky simbol këtu është dielli për dritën, kompasi për moralin”, u shpreh për News24 mjeshtri i madh Herbert Haberhauer II.
Në këtë proces, Shqipëria u mbështet nga mjeshtër të mëdhenj nga Austria, Rumania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – vende që historikisht kanë pasur rol të rëndësishëm në mbështetjen e çështjes shqiptare.
Presidenti i SOGLIA-s, Calin Cosar, e cilësoi këtë ngjarje si një moment historik:
“Ne erdhëm në Shqipëri sepse ka njerëz cilësorë dhe të përkushtuar ndaj masonerisë së lirë. Lozhat e mëdha nga e gjithë bota janë mbledhur këtu për të krijuar Lozhën e Madhe Kombëtare Shqiptare. Ky është një moment historik, pasi kemi themeluar një entitet të fuqishëm masonik në Shqipëri.”
Ndërsa zëvendëspresidenti i SOGLIA-s, Valentin Suvar, theksoi se masoneria ka një rol diskret në diplomacinë ndërkombëtare:
“Në kohën kur kemi luftëra ekonomike, politike dhe ushtarake, masoneria ka gjetur mënyra të tjera komunikimi. Ajo që diplomacia klasike nuk mund ta zgjidhë, ndoshta e bëjmë ne. Shqipëria tani është pjesë e fuqishme e masonerisë botërore.”
Sipas përfaqësuesve të saj, në histori kanë qenë masonë figura të mëdha botërore si George Washington, Benjamin Franklin dhe presidentë të tjerë amerikanë.
“Ne në Amerikë nuk e fshehim faktin që jemi masonë. Por ka gjëra që mund t’i kuptosh vetëm nëse je pjesë e lozhës”, tha Herbert Ware, mjeshtër i madh nga SHBA.
Sipas rregullave të Lozhës së Madhe Kombëtare të Shqipërisë, çdo mashkull mbi 21 vjeç, pa probleme me ligjin dhe me dy garantues, mund të aplikojë për anëtarësim.
Gjithashtu, sipas deklarimeve, figura të njohura të Rilindjes Kombëtare Shqiptare thuhet se kanë qenë pjesë e masonerisë, si: vëllezërit Frashëri, Jeronim De Rada, Vaso Pasha, Kostandin Kristoforidhi, Naum Veqilharxhi, Petro Nini Luarasi, Hasan Tahsini, Ismail Qemali, Faik Konica, Lasgush Poradeci dhe Hasan Prishtina.











