EKONOMIKRYESORE

Fermerët e 6 fshatrave pa shpresë për vaditjen e afro 700 hektarëve tokë në Cakran (video)

Cakran – 700 hektarë tokë bujqësore në Cakran dhe në pesë fshatra përreth janë jashtë sistemi të vaditjes prej më shumë se 15 vitesh. Shkaku? Prishja e sifonit nga ndërtimi i autostradës Levan–Tepelenë. Fermerët kanë ngritur zërin, por zgjidhja mungon.

Toka bujqësore në fshatrat Gorishovë, Vreshtas, Cakran, Buzmadh, Tojkan dhe Selishtë ka mbetur pa ujë për vaditje që nga ndërtimi i autostradës. Prishja e sifonit përreth zonës ka dëmtuar tërësisht sistemin e ujitjes, një hallkë kyçe për jetesën e banorëve të këtyre fshatrave.

“Dikur para viteve ‘90, tokat tona prodhonin gjatë gjithë vitit – perime, fruta, çdo gjë. Sot mezi mbjellim misër, grurë apo jonxhë. Uji ka munguar krejtësisht.”

“E kemi kërkuar këtë zgjidhje në çdo fushatë, sa herë ka patur zgjedhje për pushtetin vendor apo qëndror. Premtime plot, por ujë s’ka ardhur kurrë.”

Në fushatën për zgjedhjet e 11 Majit, ministrja Belinda Balluku premtoi rikthimin e vaditjes, por edhe këtë verë toka mbeti e thatë dhe premtimi, një tjetër zhgënjim, pohuan banorët e zonës.

Të kontaktuar Bordi i Kullimit në  Bashkinë Fier pohuan  se mundësinë e furnizimit me ujë për vaditje fermerët e  kanë nëpërmjet një tubacioni por nuk janë të intetesuar për ta marrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button