Gjykata e Fierit lë në burg CEO-n dhe ish-administratorin e “Bankers Petroleum”

Gjykata e Fierit ka lënë në fuqi masat e sigurisë për drejtuesit dhe punonjësit e kompanisë “Bankers Petroleum”, të arrestuar në kuadër të hetimeve për evazion fiskal dhe mashtrim me të ardhurat.
CEO-ja i kompanisë, shtetasi kinez Hong Ping Xiao, dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, do të qëndrojnë në burg, pasi ndaj tyre rëndojnë dyshime të forta për përfshirje në një skemë të mirëorganizuar mashtrimi financiar.
Sipas Prokurorisë së Fierit, kompania ka krijuar struktura dhe skema për të fshehur të ardhurat reale, duke shmangur kështu detyrimet ndaj shtetit dhe duke dëmtuar rëndë interesin publik.
Po ashtu, Gjykata ka lënë në fuqi masat e sigurisë edhe për 7 punonjës të tjerë të kompanisë, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në realizimin e kësaj skeme.
Hetimet
Kujtojme qe Prokuroria kishte lëshuar 14 masa sigurie për 14 persona dhe subjekte, në kuadër të hetimeve për “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nën akuzat për krijim skemash mashtruese në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), fshehje të të ardhurave, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe moskryerje detyrash nga organet tatimore.

Hetimi, i nisur në dhjetor 2024 pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe zhvilluar për gjashtë muaj me metoda proaktive, zbuloi se kompania ka deklaruar humbje të vazhdueshme për 20 vite, nga viti 2004 deri në fund të 2024-ës, duke shmangur pagesën e taksave dhe duke u përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së në vlera miliona eurosh.
Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në ambiente të ndryshme të kompanisë dhe banesa private, ku u sekuestruan dokumente dhe sende të lidhura me veprimtarinë kriminale.


Sipas avokatit mbrojtes te ish administratorit Leonidha Çobo, Prokuroria ka gabuar rende procedurialisht duke mare ne hetim z. Cobo, pasi te gjitha pretendimet e ngritura jane trajtuar nga vete Prokuroria Fier ne vitet 2020-2021, ku ne perfundim eshte kerkuar pushimi i hetimeve. Po keshtu, cdo pretendim per fshehje te te ardhurave gjate periudhes kur administrimi i Bankers eshte kryer nga z. Cobo, eshte trajtuar nga Gjykata e Arbitrazhit ne Paris. Po sipas avokatit Maksim Sota , Çobo ne seance eshte prekur moralisht duke thënë se po demtohet imazhi i tij padrejtesisht me akuza të padrejta.
Janë ekzekutuar 9 masa sigurimi ndaj administratorit aktual Hongping Xiao, ish-administratorit Leonidha Çobo dhe disa drejtuesve të tjerë të kompanisë, ndërsa 5 persona të tjerë, kryesisht të huaj, janë shpallur në kërkim.
“Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro”, thote prokuroria